Protesta që nisi fillimisht si revoltë ndaj punimeve në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë vazhdon të nxisë reagime në disa zona të vendit, ku qytetarët po kundërshtojnë rrethimet dhe kufizimin e aksesit në natyrë dhe burime.
Pas rrëzimit të gardheve në Zvërnec, Rrjoll dhe Librazhd, paraditen e së dielës banorë të zonës së Sarandës shembën pjesën e mbetur të gardhit në Kakome, i cili prej më shumë se 20 vitesh kufizonte aksesin e qytetarëve drejt bregdetit.
“Populli shqiptar ka nisur të ndërtojë Shqipërinë e Re. Shqipërinë ku gangsterët nuk ngrenë dot gardhe me tela me gjemba, nuk kërcënojnë e nuk dhunojnë dot banorët, nuk u grabitin dot pronën me falsifikimet e kadastrës”, u shpreh deputeti Redi Muçi në një reagim në rrjetet sociale për ngjarjen.
Edhe pse dy ditë më parë punonjës të Bashkisë Himarë kishin hequr portën hyrëse të rrethimit, kjo nuk i ndali protestuesit të zhvillonin protestën e paralajmëruar dhe të largonin edhe pjesën tjetër të gardhit. Aksionit iu bashkuan banorë nga Nivica, Vlora dhe zona të tjera përreth.
“Nuk e merrni Kakomenë sa të ketë Nivica djem!”, “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Poshtë kusarët!” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë protestës.
“Djersën e gjyshërve tanë po e marrin padrejtësisht, dhe kjo është gjynah i madh. Janë për burg! Berisha, Rama, na hapën rrugët e Greqisë dhe ne u larguam. Pse? Që të pasuroheshin ata”, tha për Citizens.al Marika Jorgji.
Sipas banorëve, protesta lidhet me një konflikt pronësie të pazgjidhur prej më shumë se dy dekadash. Ata pretendojnë se tokat në Kakome janë trashëgimi e familjeve vendase, ndërsa kompania “Riviera”, e cila ka ushtruar aktivitet në zonë, pretendon se i ka fituar ato në mënyrë të ligjshme përmes blerjes. Banorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
“Fatos Nano, Sali Berisha dhe Edi Rama e kanë mbajtur të bllokuar këtë çështje për interesa personale. Turp!”, u shpreh Sofokli Thoma gjatë fjalës së tij, duke shprehur zhgënjimin për mungesën e një zgjidhjeje nga qeveritë dhe forcat politike që kanë qenë në pushtet ndër vite.
Gardhet bien një nga një
Tërheqja zvarrë e një protestuesi në Zvërnec nga punonjës të sigurisë private, ndërsa Policia e Shtetit ishte e pranishme në protestën e 30 majit, u bë shkak për nisjen e protestave në Tiranë, të cilat tashmë vijojnë prej tre javësh.
Ajo që nisi si lëvizje qytetare për mbrojtjen e mjedisit dhe kundërshtimin e projekteve të ndërtimit në Zvërnec, është shndërruar në një valë më të gjerë protestash. Protesta ka kaluar përtej kauzës mjedisore, duke artikuluar hapur kërkesën për dorëheqjen e qeverisë.
Dy javë pas ngjarjes në Zvërnec, më 13 qershor, banorët e Rrjollit, të cilët kanë protestuar prej më shumë se një viti për çështjen e pronave të tyre, rrëzuan gardhin rrethues të vendosur në zonën ku parashikohet ndërtimi i projektit turistik “Baks Bay”.
Gardhi rrethues është vendosur nga kompania “Gener 2”, në pronësi të familjes Ulaj, e cila ka sjellë makineri në zonë. Kompania është pajisur me leje ndërtimi në vitin 2024 dhe projekti parashikon ndërtimin e 35 blloqeve rezidenciale me 1 deri në 10 kate lartësi, në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.
Banorët pretendojnë se toka i është kaluar investitorit përmes dokumenteve të falsifikuara dhe se për këtë çështje vijojnë procese gjyqësore.
Një ditë më pas, më 14 qershor, banorët e fshatit Dardhë në Bashkinë Librazhd ngritën shqetësimin se burimi i ujit të pijshëm “Gurra e Bardhë”, nga i cili furnizohet komuniteti, ishte rrethuar me gardh nga kompania “Lucente Koncesionare”, që operon hidrocentralin në zonë. Sipas tyre, rrethimi po ua kufizonte aksesin në burimin e ujit.
Të dielën, në shenjë proteste, banorët rrëzuan gardhin me tela, duke kërkuar rikthimin e aksesit të lirë në burimin që e konsiderojnë jetik për fshatin.
Ekspertë të ndryshëm kanë analizuar mënyrën se si qytetarët po kundërshtojnë gjithnjë e më shumë përdorimin e hapësirave publike në funksion të interesave private, duke argumentuar se kjo nuk është thjesht historia e një “gardhi”, por e një modeli qeverisjeje dhe menaxhimi të territorit.
“Ky është ndoshta momenti kur gardhi pushon së qeni një strukturë fizike dhe shndërrohet plotësisht në një instrument pushteti. Sepse nuk përcakton më vetëm kush hyn dhe kush del. Përcakton edhe se kush ka të drejtë të ushtrojë autoritet dhe kush jo”, shkruan urbanistja Doriana Musai në një editorial për Citizens.al.
Lexo më shumë:
- Një tjetër gardh bie: Banorët e Rrjollit protestojnë kundër punimeve për resortin turistik
- Nga gardhi te sheshi
- Gjashtë muaj pa ujë, banorët e Dardhës në Librazhd rrëzojnë gardhin mbi burimin


Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.








