Më 9 korrik, që përkon me ditën e 40-të të protestave të përditshme në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, njoftoi se autoritetet kanë nisur verifikime mbi atë që e cilësojnë si një fushatë të koordinuar të vlerësimeve negative ndaj bizneseve në platformat online.
Sipas Hitës, mbi 10 mijë llogari në rrjete sociale, të cilat sipas Policisë shfaqin “modele aktiviteti të dyshimtë”, janë aktualisht objekt verifikimi nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit. Ai tha se hetimet synojnë të identifikojnë nëse pas kësaj vale vlerësimesh negative qëndrojnë veprime të organizuara apo të koordinuara në dëm të bizneseve të caktuara.
Deklarata erdhi pasi gjatë ditëve të fundit, dhjetëra biznese janë përballur me një valë “review-sh”me një yll në Google. Në rrjete sociale janë shpërndarë lista me emra biznesesh ku pretendohet se pronarët e tyre kanë mbështetur publikisht qeverinë ose përfaqësojnë interesa të lidhura me të.
Vlerësimet online (reviews) janë komentet dhe pikëzimet që përdoruesit lënë për një biznes, produkt ose shërbim dhe ndikojnë në reputacionin online të një subjekti pasi ndikojnë edhe në vendimet e konsumatorëve të tjerë.
Nga verifikimi i disa prej faqeve online më të përfolura për vlerësime negative, si “Rozafa Fish City” në pronësi të biznesmenit Gjergj Luca, “Zafira” me administrator/pronar Isuf Shehun, apo “ZINS Luxury Apartments” me ortak kryesor Rigels Rajku, i njohur si Noizy, rezulton se qytetarët kanë komentuar dhe kanë lënë vlerësime me një yll duke përdorur emër dhe mbiemër.
Ndër bizneset më të prekura është “Rozafa Fish City”, në pronësi të biznesmenit Gjergj Luca, i cili brenda pak ditësh mori qindra komente dhe vlerësime me një yll, duke ulur ndjeshëm rezultatin mesatar në Google.
Biznesmeni Luca ishte ndër të parët që u bë objekt i protestës, pas publikimit rreth katër javë më parë të një videoje ku pranë tij shfaqen dy të mitur, 14 dhe 15 vjeç, duke punuar në një kantier ndërtimi në temperatura të larta. Pas publikimit të kësaj videoje, protestuesit u paraqitën në protestë me pankarta ku shkruhej: “Nuk është turp të protestosh, turp është të krenohesh me djersën e fëmijëve”.


Pas rënies së vlerësimit të bizneseve të tij në Google, nga 4.8 yje në rreth 2 yje, Gjergj Luca, i ftuar në emisionin “Top Story”, u shpreh se këtë situatë e ka denoncuar pranë strukturave të krimit kibernetik.
“E kam denoncuar te krimi kibernetik… unë mendoj që 95% janë të orkestruara”, tha biznesmeni Luca në intervistë.
Ndërsa bizneset e prekura dhe autoritetet i kanë konsideruar këto vlerësime si një sulm të organizuar, ekspertët e sigurisë janë të paqartë për ndarjen mes një reagimi online dhe një veprimi të paligjshëm.
Mes lirisë së shprehjes dhe shkeljes ligjore
Pavarësisht deklaratave për një fushatë të koordinuar, ekspertë të sigurisë kibernetike dhe sigurisë shprehen se një vlerësim negativ në platformat online nuk mund të konsiderohet automatikisht një shkelje ligjore. Sipas tyre, ajo që po ndodh aktualisht ngjan më shumë me një formë mobilizimi përmes rrjeteve sociale, ndërsa ndërhyrja e institucioneve do të kërkonte prova konkrete për manipulim të qëllimshëm të platformave.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Said Dulevic, thotë se fenomeni nuk përputhet me përkufizimin teknik të një sulmi kibernetik, pasi nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në sisteme apo përdorim të mjeteve teknologjike për dëmtim të drejtpërdrejtë të një biznesi.
“Nuk e shoh si sulm kibernetik, i tillë është kur një person apo organizatë blen bote review-sh në Azi për të sulmuar një biznes. Ajo që po shikojmë është një koordinim në fushata TikTok-u dhe Instagrami, ku lista e bizneseve që ka dalë kundër protestës apo ka heshtur po sulmohet me review negative”, shprehet eksperti i sigurisë kibernetike Dulevic.
Dulevic shton se edhe në rastet kur ka një numër të madh vlerësimesh negative, identifikimi i personave pas tyre nuk është i thjeshtë dhe jo çdo organizim online mund të çojë automatikisht në përgjegjësi penale.
“Sulm kibernetik është kur palë të paguara sulmojnë masivisht një biznes për arsye të caktuara. Është e pamundur të identifikosh dhe të gjesh mijëra llogari që kanë lënë review. Ndoshta mund të kapen personat që kanë shpërndarë fushatat për review negative, por sërish nuk kanë pse të procedohen penalisht nëse nuk ka shkelje konkrete”, thotë Dulevic duke shtuar se sipas tij, në mungesë të përdorimit të llogarive false apo mekanizmave të automatizuar, lënia e një vlerësimi negativ mbetet pjesë e ndërveprimit të zakonshëm në platformat online, pasi nuk ka asnjë ligj që ndalon lënien e review-ve negative kur nuk të pëlqen një ushqim apo shërbim.
Edhe eksperti i sigurisë Fatjon Softa shprehet se vlerësimet online janë pjesë e ekonomisë digjitale dhe ndikojnë drejtpërdrejt në reputacionin e bizneseve, por ndarja mes kritikës së ligjshme dhe manipulimit duhet të bëhet mbi bazën e provave.
“Review-t online janë bërë pjesë e ekonomisë digjitale. Ato ndikojnë drejtpërdrejt te reputacioni, besimi i konsumatorëve dhe të ardhurat e bizneseve, veçanërisht në turizëm. Kur përdoren në mënyrë të manipuluar, me profile false ose rrjete të organizuara, nuk kemi më të bëjmë me një mendim të lirë, por me një mekanizëm që mund të dëmtojë padrejtësisht konkurrencën dhe imazhin e vendit”, shprehet Softa.
Softa thekson se përgjegjësia ligjore mund të lindë vetëm nëse provohet përdorimi masiv i identiteteve të rreme, mashtrimi, manipulimi i sistemeve elektronike apo dëmtimi i qëllimshëm i reputacionit dhe konkurrencës.
“Qytetarët që japin një vlerësim të sinqertë nuk duhet të kenë shqetësim. Hetimet duhet të fokusohen vetëm te rrjetet që manipulojnë sistematikisht platformat me profile false ose me qëllim dëmtimin e bizneseve. Nuk duhet të krijohet perceptimi se çdo review kritik mund të sjellë pasoja ligjore”, tha eksperti duke shtuar që nuk mjafton që një review të jetë negativ për ta konsideruar atë të paligjshëm.
Policia e Shtetit po vijon verifikimet për të përcaktuar nëse pas valës së vlerësimeve negative ka pasur një organizim të qëllimshëm apo manipulim të platformave online, ekspertët nënvizojnë se dallimi mes një reagimi qytetar dhe një veprimi të paligjshëm mund të bëhet vetëm mbi bazën e provave konkrete.
Reputacioni i bizneseve po ndikohet gjithnjë e më shumë nga platformat digjitale dhe beteja për “yjet” online ka përballur bizneset dhe autoritetet me një situatë të re, e cila mbetet në kufirin mes lirisë së shprehjes dhe nevojës për të parandaluar manipulimin e qëllimshëm të sistemeve të vlerësimit.


Vjolanda Peca ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është e angazhuar në gazetari, me fokus raportimin investigativ, verifikimin e fakteve dhe prodhimin multimedial. Është angazhuar në disa media televizive dhe online, ku ka raportuar mbi çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës publike, të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe fenomeneve që prekin grupet e margjinalizuara.








