Nga fjalimet në Parlamentin Evropian te prania e tyre në Tiranë më 29 qershor, 10 deputetë të Parlamentit Evropian e shndërruan mbështetjen për mbrojtjen e zonës Vjosë–Nartë nga deklaratat në veprim.
“Revolucioni i Flamingove” është i njohur jo vetëm në Bashkimin Evropian, jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën. Urime!”, tha në shesh, teksa mori fjalën në mes të mijëra protestuesve Vula Tsetsi, bashkëkryetarë e Partisë së Gjelbër Evropiane.
Një ditë pasi iu bashkuan protestës ata shkuan në Aeroportin e Vlorës dhe në Zvërnec, aty ku “Revolucioni Flamingo” nisi pas pamjeve të dhunshme dhe ndërhyrjeve agresive në zonën e mbrojtur.
Citizens e shoqëroi grupin e eurodeputetëve në vizitnë e tyre në terren, ku aktivistët e PPNEA iu treguan konkretisht pasojat e ndërhyrjes me makineri të rënda në Nartë. Punimet pas gardhit me gjemba kanë ndryshuar strukturën natyrore duke shtruar beton dhe disa kilometra rrugë, ccka sipas ekspertëve dëmton speciet që jetojnë aty.


“Shqipëria nuk anëtarësohet në BE nëse nuk respekton mjedisin dhe lufton korrupsionin”
Dy javë më parë, më 15 qershor, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria ka dhënë garanci se për projektin e Zvërnecit do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis.
Tineke Strik, përfaqësuese e grupit politik të Gjelbërve, tha për Citizens se ajo për të cilën flet Kos është rendi i gabuar i veprimeve. Ajo theksoi se vlerësimi i ndikimit në mjedis duhej të ishte kryer përpara se projekti të avanconte. Sipas Strik, një vlerësim i bërë siç duhet do të tregonte qartë se projekti është shkatërrues dhe nuk përputhet me direktivat evropiane.
“Do të bëjmë çdo përpjekje që edhe në nivel ministrash t’ia bëjnë të qartë Ramës se duhet t’i ndalojë këto veprime. Përndryshe, Shqipëria nuk do të arrijë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha Strik.
Të njëjtin mesazh dha edhe Anna Strolenberg, deputete holandeze, përfaqësuese e partisë Volt në Parlamentin Evropian. Ajo u shpreh se e mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi është pjesë e Evropës dhe meriton të bëhet pjesë e BE-së. Megjithatë, sipas saj, ecuria e negociatave varet nga përmbushja e kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian, ndër të cilat një rëndësi të veçantë ka mbrojtja e rezervave natyrore.
Strolenberg paralajmëroi se mosrespektimi i këtyre standardeve mund t’u japë shteteve anëtare të drejtën të vendosin veto ndaj anëtarësimit të Shqipërisë.
“Duhet të adresohen mbrojtja e natyrës, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit. Nëse këto përmbushen, shtetet anëtare mund të bien dakord për anëtarësimin e Shqipërisë”, tha Strolenberg nga sheshi i protestës.
Ndërsa Jutta Paulus theksoi se duhet të shfuqizohet legjislacioni i ndryshuar në favor të miliarderëve, pasi, sipas saj, këto ndryshime nuk u bënë për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, por vetëm për të mbushur xhepat e tyre dhe të miqve të tyre.
Deputetja e Parlamentit Evropian, Cristina Guarda, krahasoi situatën në Zvërnec me projekte të ngjashme në Itali, duke theksuar se atje po zhvillohen iniciativa për resorte luksoze me pesë yje, të mbështetura nga investime të mëdha ndërkombëtare.
Sipas saj, edhe në këto raste qeveria ka dhënë autorizime duke anashkaluar pushtetin vendor, autoritetet rajonale dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit italian dhe evropian. Ajo shtoi se kjo ka nxitur reagimin e qytetarëve italianë, të cilët pyesin pse në Shqipëri ka një mobilizim të gjerë kundër projekteve të tilla, ndërsa në Itali ndihen të vetmuar në përpjekjet e tyre për t’i kundërshtuar.
“Për këtë po merrem në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarë dhe shoqata që po përpiqen me të gjitha forcat të reagojnë, duke paguar nga xhepi i tyre edhe burimet për përballjen ligjore”, thekson Guarda, në një intervistë të dhënë për Citizens, në ambientet e jashtme të Aeroportit të Vlorës.
Akuza për manipulim
Parlamenti Evropian i ka kërkuar qeverisë shqiptare vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm për ndalimin e lejeve të ndërtimit dhe projekteve në zonat e mbrojtura. Në një rezolutë të miratuar më 17 qershor 2026, eurodeputetët kërkuan edhe shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2024 që lejuan ndërtime në emër të turizmit.
Një ditë para votimit të rezolutës, deputetët socialistë Taulant Balla dhe Bora Muzhaqi u dërguan email eurodeputetëve, duke u kërkuar të mos mbështesnin amendamentet për zonat e mbrojtura dhe projektin në Zvërnec.
Në email, ata argumentonin se amendamentet bazoheshin në dezinformim, në pretendime për agjentë të huaj dhe se projekti në Zvërnec nuk kishte ende leje ndërtimi.
Në fund të emailit, deputetët Balla dhe Muzhaqi shkruajnë:
“Në të njëjtën frymë konstruktive ju kërkojmë me respekt vëmendje ndaj kësaj çështjeje dhe të mos mbështesni amendamentet 4 dhe 17”.
Jutta Paulus e publikoi emailin dhe e cilësoi si përpjekje për të ndikuar te eurodeputetët.
Deputetja theksoi se ekzistojnë prova dhe dokumente ligjore që mbështesin shqetësimet e ngritura, duke shtuar se debati duhet të mbështetet në fakte dhe argumente, jo në pretendime të pabazuara.
Pas pjesëmarrjes në protestë dhe vizitave në terren, eurodeputetët mbajtën një konferencë përmbyllëse më 1 korrik në ambientet e Europe House.
Eurodeputetja holandeze Tineke Strik në një konferencë për mediat tha se, pavarësisht takimit me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, nuk u mor asnjë garanci se aktivitetet do të ndalen.
“Nuk mund ta përkeqësosh fillimisht situatën dhe më pas të thuash se pas një viti e gjysmë do ta harmonizosh me standardet evropiane,” tha Strik, duke iu referuar takimit me Jaupaj. “Deri atëherë dëmi është bërë”, shtoi ajo.
Ajo u shpreh se detyra e eurodeputetëve është të ushtrojnë mbikëqyrje demokratike mbi mënyrën se si Bashkimi Evropian vlerëson situatën në Shqipëri dhe të sigurojnë që të respektohen standardet evropiane në vend. Strik shtoi gjithashtu se një thirrje kaq e drejtpërdrejtë drejtuar eurodeputetëve mund të konsiderohet edhe një formë ndërhyrjeje politike.
Në përfundim, mesazhet e eurodeputetëve në Tiranë dhe në terren e lidhën qartë procesin e integrimit të Shqipërisë me standardet konkrete të Bashkimit Evropian, veçanërisht në mbrojtjen e mjedisit dhe luftën kundër korrupsionit. Debati i hapur gjatë kësaj vizite tregoi se çështja e zonave të mbrojtura nuk shihet më si një çështje e brendshme, por si një test serioz për besueshmërinë e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Lexo më shumë:
- “Mos i mbështesni amendamentet”, eurodeputetët i përgjigjen qeverisë nga Zvërneci
- Në “The Albanian Files” gjendet Shqipëria që po vizaton Edi Rama


Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.








