Algoritmet e rrjeteve sociale vendosin çdo ditë se çfarë shohin miliona përdorues në ekranet e tyre. Ato analizojnë sjelljen e secilit përdorues, pëlqimet, komentet, shpërndarjet, kohën e publikimit dhe ndërveprimet e mëparshme për të përcaktuar se cilat postime do të marrin më shumë shtrirje. Sa më i lartë angazhimi, aq më shumë rritet mundësia që një përmbajtje të shpërndahet gjerësisht.
Pikërisht algoritmin ka zgjedhur të fajësojë për herë të dytë kryeministri Edi Rama për dukshmërinë që kanë marrë protestat në rrjetet sociale dhe jehonën e tyre jashtë vendit. Megjithatë, gjatë një vëzhgimi të aktivitetit të tij në Facebook, rezulton se vetëm në këtë platformë ai ka publikuar mbi 40 postime, video dhe reagime të drejtpërdrejta lidhur me protestën dhe protestuesit, duke e kthyer këtë çështje në një nga temat kryesore të komunikimit të tij publik.
“Kush mendon se me like dhe followers bën politikë, ose bën vetëm politikë, bën gabim. Me followersa dhe like bën shërbimin e atyre oligarkëve më të mëdhenj të planetit të cilët përmes algoritmit dhe platformave, pasurohen eksponencialisht çdo ditë”, -u shpreh kryeministri Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste më 20 maj.
Ndërkohë, për vite me radhë, rrjetet sociale kanë qenë një nga armët më të forta të komunikimit politik të Edi Ramës, duke i siguruar avantazh në arritjen e audiencës. Sot, të njëjtat platforma po përdoren nga një brez i ri protestuesish për të sfiduar narrativën e qeverisë, duke e kthyer këtë avantazh në një terren përballjeje.
Deklarata e kryeministrit erdhi pasi debati publik është zhvendosur edhe te raporti mes politikës dhe oligarkisë vendase. Për herë të parë, në protesta po artikulohet gjerësisht slogani “Shqipëria e shqiptarëve, jo e oligarkëve”, ndërsa vetë kryeministri ka deklaruar në të kaluarën se në Shqipëri nuk ka oligarkë.
Prania e madhe e të rinjve në protesta ka bërë që të mos informohemi më vetëm nëpërmjet mediave tradicionale por edhe nëpërmjet rrjeteve sociale. Qindra përdorues, mes tyre edhe figura me mijëra ndjekës, kanë publikuar vazhdimisht materiale nga protesta, si foto, video, transmetime live duke krijuar një kanal komunikimi të pavarur nga mediat tradicionale.
Sipas ekspertit të IT-së, Besmir Semanaj, ky volum i madh përmbajtjesh krijoi një betejë paralele në hapësirën digjitale, mes rrjeteve sociale dhe mediave tradicionale që sipas protestuesve duhen bojkotuar pasi pronarët e tyre kanë lidhje të drejtërdrejta me qeverinë.
“Pati një fluks të koordinuar përmbajtjesh që, sipas vlerësimit tim, synonin të deformonin algoritmin dhe ta paraqisnin protestën si të dhunshme ose me mesazhe që nuk e përfaqësonin atë. Megjithatë, masiviteti i protestës e theu këtë efekt dhe sot shpërndarja e përmbajtjes duket se është rikthyer në normalitet“, u shpeh eksperti i IT-së, Semanaj.
Sipas tij, krahas përmbajtjeve organike, ka pasur edhe materiale të sponsorizuara që synonin t’i jepnin një drejtim tjetër algoritmit dhe të ndikonin në mënyrën se si zhvillohej debati publik.
“Ato përmbajtje të sponsorizuara synonin të deformonin algoritmin, të demotivonin protestuesit dhe të krijonin një narrativë të shtrembëruar për publikun ndërkombëtar. Edhe pse kjo nuk mund të konfirmohet zyrtarisht, efekti ishte rritja e konfuzionit dhe polarizimit të debatit publik,” shtoi eksperti.
Debati për algoritmin nuk mbeti vetëm në nivel deklaratash në rrjet, por protestuesit i dhanë zë kësaj çështjeje poshtë “shtëpisë” së kryeministrit, në sheshin e kryeministrisë. Në ditën e 27-të të protestës, më 26 qershor, protestuesit bënë thirrje që të raportonin dhe të mos e ndiqnin më kryeministrin në rrjetet sociale.
“Le ta godasim aty ku i dhemb më shumë”, u shpreh njëri prej folësve, duke ftuar protestuesit që të nisnin menjëherë fushatën e raportimit.
Sipas ekspertit, veprime të tilla mund të ndikojnë në mënyrën se si shpërndahet përmbajtja në platformat sociale.
“Raportimet masive mund të ulin përkohësisht shtrirjen e një postimi, ndërsa reklamat e sponsorizuara rrisin dukshmërinë e përmbajtjeve të caktuara. Në disa raste përdoren edhe materiale të manipuluara ose të gjeneruara me AI për të ndikuar perceptimin publik”, u shpeh eksperti i IT-së, Semanaj.
Kryeministri ka shtuar ndjeshëm ritmin e komunikimit në rrjetet sociale, duke publikuar pothuajse çdo ditë reagime, komente dhe kritika ndaj protestës, një strategji e tillë, sipas ekspertëve, është e qëllimtë pasi mund të ndikojë në mënyrën se si audienca e percepton realitetin, veçanërisht përdoruesit që ekspozohen kryesisht ndaj mesazhit të parë që u shfaqet në ekran.
“Një strategji e tillë mund të dominojë vëmendjen e audiencës. Sa më shpesh të postojë një figurë publike, aq më shumë hapësirë zë në feed. Megjithatë, ngjarje të mëdha si protestat masive mund ta zbehin këtë efekt”, u shpreh Semanaj.
Në këtë përplasje secila palë përpiqet të fitojë terren në betejën për vëmendjen e publikut. Aktiviteti i kryeministrit Rama është intensiv në rrjetet sociale tregon një përpjekje të vazhdueshme për të dominuar hapësirën online dhe për të imponuar këndvështrimin e tij mbi zhvillimet që po ndodhin në vend. Edhe ndryshimi i fotografisë së profilit në Facebook, ku shfaqet një flamingo u interpretua nga shumë përdorues si një mesazh i koduar në kulmin e debatit publik.
Përplasja për vëmendjen në rrjetet sociale është bërë po aq e rëndësishme sa vetë protesta, sepse në epokën digjitale, kush arrin të dominojë rrjedhën e informacionit, fiton një pjesë të rëndësishme të betejës për perceptimin publik.
Pushteti ekonomik dhe politik nuk shfaqet më vetëm përmes parasë apo forcës, por edhe përmes kontrollit të imazheve dhe narrativave.


Vjolanda Peca ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është e angazhuar në gazetari, me fokus raportimin investigativ, verifikimin e fakteve dhe prodhimin multimedial. Është angazhuar në disa media televizive dhe online, ku ka raportuar mbi çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës publike, të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe fenomeneve që prekin grupet e margjinalizuara.








