Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka shprehur shqetësim për mënyrën se si u menaxhua protesta e zhvilluar më 2 korrik 2026 përpara Kuvendit të Shqipërisë, duke theksuar se aktet e dhunës nga individë të veçantë nuk mund të përdoren si justifikim për përdorim joproporcional të forcës nga Policia e Shtetit.
Në deklaratën për shtyp, KShH nënvizon se e drejta për tubim dhe protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas organizatës, institucionet kanë detyrimin jo vetëm të lejojnë zhvillimin e protestave, por edhe të krijojnë kushte për ushtrimin e sigurt të kësaj të drejte, pa ekspozim ndaj forcës së panevojshme.
Sipas monitorimit në terren, protesta ka pasur në përgjithësi karakter paqësor dhe situata ka qenë e qetë për një periudhë të gjatë. Megjithatë, KShH thekson se aktet e veçanta të dhunës nuk mund t’i atribuohen të gjithë protestuesve dhe nuk e humbin karakterin paqësor të tubimit në tërësi, në përputhje edhe me praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’i atribuohen automatikisht të gjithë protestuesve. Përdorimi i mjeteve të tilla, të cilat prekin në mënyrë të padiferencuar edhe protestuesit paqësorë, gazetarët, vëzhguesit dhe persona të tjerë të pranishëm në protestën e djeshme, duhet të ishin masë e fundit, e domosdoshme dhe proporcionale”, shprehet Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Organizata vëren se situata u përshkallëzua pas një incidenti me automjete pranë Kuvendit, pas të cilit sjellja e policisë ndryshoi shpejt, duke kaluar nga një gjendje e qetë në rrethim të protestuesve dhe më pas në përdorim të gazit lotsjellës.
Sipas KShH-së, ndryshe nga çfarë parashikon ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, në nenet 12 dhe 32, ky veprim nuk u parapri nga një paralajmërim publik dhe nuk iu dha kohë e mjaftueshme qytetarëve për t’u shpërndarë vullnetarisht. Organizata thekson se mes të pranishmëve mund të ketë pasur edhe vëzhgues apo persona të tjerë që nuk ishin pjesë e akteve të dhunshme.
KShH shton se, referuar standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, përdorimi i mjeteve kimike pa paralajmërim dhe pa kohë të mjaftueshme për shpërndarje vullnetare mund të përbëjë keqtrajtim dhe ndërhyrje joproporcionale në të drejtën për tubim. Sipas organizatës, përdorimi i forcës ndaj personave që nuk kishin më mundësi të largoheshin, pasi ishin neutralizuar nga policia, është i papranueshëm.
“Standardet e elaboruara të GJEDNJ-së lidhur me nenin 3 të KEDNJ nënvizojnë se përdorimi i forcës ndaj një personi tashmë të neutralizuar dhe pa rezistencë përbën trajtim çnjerëzor ose poshtërues; goditjet në fytyrë dhe poshtërimi e cenojnë rëndë dinjitetin. Po aq shqetësuese janë pretendimet lidhur me mungesën e kujdesit të menjëhershëm ndaj personave që deklaronin se ishin të dëmtuar apo kishin probleme”, u shpreh organizata.
KShH i bën thirrje Prokurorisë së Tiranës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të hetojnë në mënyrë të shpejtë, të paanshme dhe të pavarur çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës. Organizata i kërkon gjithashtu Policisë së Shtetit të sigurojë që çdo ndërhyrje në protesta të paraprihet nga paralajmërimi, komunikimi i qartë dhe koha e mjaftueshme për zbatim vullnetar.
“KShH thekson se policia ka detyrimin dhe të drejtën të mbrojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve, si dhe integritetin fizik të punonjësve të saj. Por pikërisht për shkak të autoritetit dhe mjeteve që ligji i ka dhënë, standardi i përgjegjshmërisë së policisë është më i lartë. Forca nuk duhet të përdoret si reagim ndëshkues, por vetëm kur është e domosdoshme, në masën më të kufizuar të mundshme dhe ndaj personave konkretë që paraqesin rrezik”, shprehet organizata.
Organizata u kërkon gjithashtu organizatorëve dhe pjesëmarrësve të distancohen nga aktet e dhunës, ndërsa përfaqësuesve publikë të shmangin transmetimin selektiv të videove dhe gjuhën që, sipas saj, rrezikon të delegjitimojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Respektimi i të drejtës për tubim paqësor dhe përdorimi proporcional i forcës nga institucionet e rendit janë elemente thelbësore të një shteti demokratik. Çdo pretendim për tejkalim të këtyre standardeve duhet të hetohet në mënyrë të plotë, të pavarur dhe efektive.
Lexo edhe:
Protesta para Parlamentit: përplasje, arrestime dhe akuza për dhunë policore


Vjolanda Peca ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është e angazhuar në gazetari, me fokus raportimin investigativ, verifikimin e fakteve dhe prodhimin multimedial. Është angazhuar në disa media televizive dhe online, ku ka raportuar mbi çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës publike, të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe fenomeneve që prekin grupet e margjinalizuara.








