Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Voton Gjermania lindore, zgjedhjet mund të sjellin në pushtet guvernatorin e parë nga AfD-ja

Gjermania, zgjedhjet

Foto: Associated Press

Të dielën janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet rajonale në lindje të Gjermanisë, të cilat mund të sjellin në pushtet qeverinë e parë shtetërore të ekstremit të djathtë në historinë e vendit pas Luftës së Dytë Botërore.

Votues të grupmoshave të ndryshme janë parë duke hedhur votën e tyre.

Zgjedhjet për parlamentin rajonal në Saksoni-Anhalt, një rajon me 2.1 milionë banorë në perëndim të Berlinit, kanë marrë një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi përfaqësojnë shansin më të madh deri më tani që e djathta ekstreme dhe kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë, ose AfD, të marrë postin e guvernatorit.

“Po, shpresojmë që vota jonë, ose vota ime, të ketë ndikim në mënyrë që balanca e forcave në parlamentin e landit të jetë e tillë që të pengojmë të tjerët, të cilët aktualisht janë shumë përpara, të vijnë në pushtet. Ky është mendimi im i sinqertë dhe për këtë arsye votova në mënyrë taktike”, ka thënë Joachim Meier, banor i Magdeburgut.

Nëse AfD-ja fiton, kjo do të ishte fitorja më e madhe në historinë 13-vjeçare të partisë, në një kohë kur ka pakënaqësi të gjerë ndaj qeverisë kombëtare, e cila ende nuk ka arritur t’i bindë votuesit se mund ta vërë ekonominë e dobët të vendit në lëvizje.

Kjo do të ishte të paktën një goditje simbolike për kancelarin Friedrich Merz, partia e qendrës së djathtë e të cilit ka drejtuar Saksoni-Anhaltin për 24 vjet.

“Pritshmëria ime është që gjërat të ecin në drejtimin e duhur, duhet ta them shumë sinqerisht. Dhe qytetarët do të vendosin se si do të vazhdohet nga këtu e tutje”, ja thënë Jörg Schulz, një tjetër banor i Magdeburgut.

AfD-ja është partia më e madhe e opozitës në parlamentin kombëtar të Gjermanisë dhe është më e fuqishme në lindjen e vendit, ish-komuniste dhe më pak të zhvilluar ekonomikisht, ku ndodhet edhe Saksoni-Anhalt.

Kandidati i saj për guvernator, Ulrich Siegmund, ka deklaruar se “këtu do të shkruajmë historinë”.

Megjithatë, pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme të fortë, mundësitë e saj për të marrë pushtetin mbeten të pasigurta, edhe nëse ajo përfundon shumë përpara kundërshtarëve të saj

Të dielën, AfD-ja shpreson të fitojë një shumicë absolute në parlamentin e landit. 

Kjo do të kapërcente të ashtuquajturën “barrierë mbrojtëse” (“firewall”) të vendosur nga partitë kryesore, të cilat refuzojnë të bashkëpunojnë me AfD-në. 

Dega rajonale e kësaj partie është një nga disa degë që agjencia gjermane e inteligjencës së brendshme i ka klasifikuar si grupe të konfirmuara të ekstremit të djathtë.

E djathta ekstreme gjermane drejt një fitoreje të madhe në landin lindor

4 o. më parë / 6 sht 2026 19:58 Nga: BBC
Ulrich Siegmund

Photo: Associated Press

AfD-ja e Gjermanisë po shkon drejt një fitoreje të madhe në landin lindor Saksoni-Anhalt, shumë përpara rivalëve të saj kryesorë, bazuar në projeksionet fillestare, transmeton BBC. Ende nuk është e qartë nëse kjo do të mjaftojë që partia ta marrë pushtetin në landin, por AfD-ja thotë se ka fituar një mandat për të qeverisur.

Partia e djathtë ekstreme pritet të marrë më shumë se 44% të votave, shumë përpara CDU-së konservatore, me 18.4%.

AfD-ja e ka përshëndetur rezultatin si një “rezultat historik”, ndërsa lideri i saj në land, Ulrich Siegmund, ka refuzuar të qeverisë me ndonjë parti tjetër.

Asnjë parti e djathtë ekstreme nuk ka fituar kontrollin e një landi në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore dhe qeverisja në nivel landesh do të nënkuptonte kompetenca mbi policinë, arsimin lokal dhe kulturën.

Saksonia-Anhalt ka një popullsi të vogël prej 2.1 milionë banorësh dhe AfD-ja në këtë land vlerësohet nga shërbimet vendase të inteligjencës si “ekstremiste e djathtë”, një klasifikim që Siegmund e kundërshton.

Rezultati i projektuar i AfD-së është më i lartë se sa sugjeronin sondazhet e mëparshme dhe Siegmund, së bashku me liderët në nivel vendi të AfD-së, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, ishin të gëzuar pa masë teksa lajmi u bë i ditur.

Megjithatë, drejtuesit e partisë nuk do ta dinë nëse kanë mjaftueshëm ulëse për të qeverisur derisa të shohin se cilat nga partitë më të vogla do të hyjnë në Parlamentin e landit.

Kjo mund të varet nga fakti nëse njëra prej partive më të vogla arrin të kalojë pragun e kërkuar prej 5%. Nëse nuk ia del, atëherë rriten shanset e AfD-së për të siguruar shumicën.

Një turmë mbështetësish në selinë e AfD-së, ku po mbahej festa e natës së zgjedhjeve, shpërtheu në brohoritje teksa projeksionet u shfaqën në ekran.

Pak më vonë, njerëzit nisën të këndonin himnin kombëtar të Gjermanisë.

“Ne kemi bërë histori në këtë land”, tha Siegmund. 

Rivali i tij në CDU, Sven Schulze, pranoi humbjen dhe tha se partia e tij do të duhej të përballej me rezultatin: “Kjo ishte një fushatë zgjedhore jashtëzakonisht e vështirë dhe intensive”.

SPD-ja e qendrës së majtë në Gjermani e përshkroi rezultatin si “vërtet dramatik”, ndërsa lideri kombëtar Lars Klingbeil, partia e të cilit është në qeveri në nivel kombëtar së bashku me CDU-në, e përshkroi rezultatin si një “sinjal për Berlinin”.

AfD qëndron për Alternativa për Gjermaninë. 

Pjesëmarrja në zgjedhje në Saksonia-Anhalt ishte veçanërisht e lartë, rreth 78%, dhe mbështetësit e AfD-së në Magdeburg lavdëruan suksesin e Siegmund në bindjen e votuesve.

Një burrë i quajtur Ollie tha: “Ky njeri na jep atë që askush tjetër nuk mund të na japë”.

“Pavarësisht se cila qeveri, të gjithë vetëm premtojnë se gjërat do të përmirësohen. Kjo është një parti për njerëzit që punojnë. Është alternativa për Gjermaninë”, i tha ai BBC-së.