Situata e zjarrit në Himarë është përkeqësuar ndjeshëm gjatë mbrëmjes, teksa flakët kanë avancuar nga kodrat pranë lagjes “1 Maji” në drejtim të Potamit.
Zjarri është afruar në mënyrë të rrezikshme me zonat e banuara dhe strukturat turistike, duke detyruar banorë dhe pushues të largohen nga zonat e prekura. Raportohet se edhe turistë që qëndronin në strukturat akomoduese pranë frontit të zjarrit janë evakuuar.
Bilanci paraprak flet për dy banesa të përfshira nga flakët, ndërsa rreth 40 të tjera ndodhen nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të zjarrit. Një prej banesave të prekura është shkatërruar plotësisht.
Pamjet nga zona tregojnë përmasat e frontit të zjarrit, i cili vijon të përparojë edhe gjatë natës. Kushtet atmosferike, veçanërisht era, po favorizojnë përhapjen e flakëve dhe po e bëjnë të vështirë parashikimin e drejtimit të tyre.
Forcat zjarrfikëse janë në terren dhe po përpiqen të mbajnë nën kontroll situatën, ndërsa ndërhyrja është përqendruar gjithnjë e më pranë zonave të banuara.
Banorët kanë kërkuar edhe ndërhyrjen nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve. Deri tani, megjithatë, nuk ka një konfirmim zyrtar nëse janë angazhuar mjete ajrore për shuarjen e kësaj vatre.
Rreziku është shtuar ndjeshëm pasi zjarri nuk është më i kufizuar në zonat me bimësi në kodrat mbi Himarë, por ka zbritur drejt pjesës bregdetare të qytetit. Në këtë zonë ndodhen banesa, hotele, ambiente turistike dhe biznese, duke e bërë situatën veçanërisht të rrezikshme.
Strukturat e emergjencës kanë si prioritet kryesor evakuimin e njerëzve nga zonat që ndodhen në trajektoren e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit drejt Potamit.
Deri në këto momente nuk është raportuar zyrtarisht për persona të lënduar. Operacioni i shuarjes dhe mbrojtjes së zonave të banuara vijon gjatë natës, ndërsa situata mbetet dinamike dhe mund të ndryshojë në çdo moment.







