Një situatë e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Himarë, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përparuar me shpejtësi drejt zonave të banuara.
Flakët kanë përfshirë kodrat pranë lagjes “1 Maji”, ndërsa era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit dhe ka vështirësuar ndjeshëm punën e forcave zjarrfikëse.
Deri në këto momente raportohet se dy banesa janë përfshirë nga flakët, ndërsa rreth 40 banesa të tjera ndodhen nën kërcënimin e zjarrit. Rrezikohen gjithashtu sipërfaqe të konsiderueshme me pemëtari.
Përballë situatës së krijuar, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, u ka bërë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara që të largohen nga banesat dhe ambientet ku mund t’u kërcënohet jeta.
“Për shkak të zjarrit të papritur që po përparon drejt zonave të banuara, ju bëjmë thirrje të largoheni nga shtëpitë, bizneset apo ambiente të tjera që mund të përbëjnë rrezik për jetën.
Ju lutemi, kërkoni ndihmën e organeve të Policisë së Rendit, Policisë Bashkiake, zjarrfikësve dhe urgjencës mjekësore në çdo kohë. Ruani qetësinë dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve!”, apeloi Tavo.
Banorët ndihmojnë zjarrfikësit
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, ndërsa në përpjekjet për frenimin e flakëve po marrin pjesë edhe banorë të Himarës.
Ata po ndihmojnë në mbrojtjen e banesave dhe pronave që ndodhen pranë trajektores së zjarrit, ndërsa forcat në terren po përpiqen të izolojnë vatrat përpara se flakët të depërtojnë më tej në zonën e banuar.
Për shkak të përmasave të zjarrit, është kërkuar edhe ndihma e bashkive fqinje. Drejt Himarës janë nisur mjete dhe forca zjarrfikëse nga Vlora, Saranda, Delvina dhe Finiqi.
Gjithashtu, është kërkuar ndërhyrja e Forcave të Armatosura për të përballuar situatën dhe për të ndihmuar në izolimin e zjarrit.
Prioriteti i operacionit mbetet mbrojtja e jetës së banorëve dhe parandalimi i përhapjes së flakëve drejt rreth 40 banesave që ndodhen në zonën e rrezikut.
Pamjet e publikuara nga Himara tregojnë flakët që kanë përfshirë kodrat gjatë natës, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje banorëve që të mos rrezikojnë jetën duke qëndruar pranë banesave për të mbrojtur pronat.
Operacioni për shuarjen dhe izolimin e zjarrit vijon, ndërsa era e fortë mbetet një prej faktorëve kryesorë që favorizon përhapjen e flakëve.







