Përplasja fizike mes Joz Markut dhe Edi Kuçit ka kaluar tashmë në hetim nga organet e drejtësisë në Kosovë.
Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur procedurat lidhur me incidentin, pas publikimit të videove që kanë dokumentuar përplasjen mes dy personazheve.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se ndaj Joz Markut janë ndërmarrë veprimet procedurale për rastin.
Në kuadër të procedurave, është kërkuar edhe arrestimi i Markut.
Ngjarja u bë publike përmes disa videove të shpërndara në rrjetet sociale. Në njërën prej pamjeve, Edi Kuçi shihet i rrethuar nga disa persona, ndërsa në një moment Joz Marku e godet atë.
Më vonë është publikuar edhe një video më e gjatë, ku dëgjohet debati mes dy palëve dhe përplasja verbale që i parapriu konfliktit. Sipas raportimeve, debati lidhet edhe me deklarata të mëparshme të Edi Kuçit ndaj këngëtarit Joz Marku.
Pas publikimit të pamjeve, Kuçi reagoi përmes rrjeteve sociale, duke deklaruar se ishte përballur me një situatë “15 me 1”. Ai e cilësoi ngjarjen si “pabesi” dhe “tradhti”.
Tashmë çështja ndodhet në duart e Prokurorisë së Pejës, e cila do të vijojë hetimet për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Kërkesa për arrestimin e Joz Markut nuk përbën në vetvete një përcaktim të fajësisë penale. Përgjegjësia e tij do të përcaktohet në përfundim të procedurave dhe nga vendimet e institucioneve kompetente.







