Protestuesit e arrestuar mbrëmjen e 1 shtatorit, pasi rrethuan godinën e Kryeministrisë në momentin kur Edi Rama ndodhej brenda në zyrën e tij, janë liruar nga Gjykata e Tiranës.
Ndaj 14 protestuesve ishin ngritur dyshime për disa vepra penale, mes tyre “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Gjatë seancës gjyqësore, protestuesit kërkuan që arrestimi i tyre të shpallej i paligjshëm dhe të liroheshin pa asnjë masë sigurie. Ata mohuan të kenë kryer ndonjë vepër penale.
Jashtë Gjykatës së Tiranës, ndërkohë që brenda zhvillohej seanca, u mblodhën qytetarë që kërkonin lirimin e protestuesve. Protestuesit jashtë godinës shoqëruan tubimin me thirrje kundër qeverisë, ndërsa u dëgjuan edhe brohoritjet: “Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun!”
Të arrestuarit janë Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli, Desiderjo Alimuçaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe Aumiraldi Dalliu.
Ata u shoqëruan nga policia mbrëmjen e 1 shtatorit, pasi protestuesit rrethuan godinën e qeverisë sapo u mësua se kryeministri Edi Rama ndodhej brenda saj.
Për disa orë, situata vijoi me përplasje dhe rezistencë nga ana e protestuesve, ndërsa kryeministri qëndroi brenda godinës. Pas përfundimit të protestës, Rama u largua nga Kryeministria nën masa të shtuara sigurie.
Protestat qytetare kundër qeverisë vijojnë prej më shumë se tre muajsh. Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.







