Një 58-vjeçare është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se, së bashku me një bashkëpunëtore 27-vjeçare, ka mashtruar qytetarë duke u premtuar zgjidhjen e çështjeve pronësore përmes ndërhyrjeve në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).
Në pranga ka rënë shtetasja me iniciale S. D., ndërsa bashkëpunëtorja e dyshuar, S. N., 27 vjeçe, është vënë nën hetim në gjendje të lirë.
Sipas Policisë së Tiranës, dy gratë dyshohet se kanë përfituar mbi 100 mijë euro nga qytetarë të ndryshëm, të cilëve u premtonin se mund t’u zgjidhnin problemet me pronat, pasi 58-vjeçarja pretendonte se kishte kontakte brenda ASHK-së.
Hetimi nisi pas informacionit të administruar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas denoncimeve të përcjella nga gazetarët e emisionit investigativ “STOP”.
Sipas policisë, qytetarë të ndryshëm kishin deklaruar se ishin kontaktuar dhe pajisur me dokumente të dyshuara të falsifikuara nga 58-vjeçarja, e cila u premtonte se do t’u zgjidhte çështjet pronësore përmes njohjeve që pretendonte se kishte në Kadastër.
Operacioni u kodua “Premtimi” dhe gjatë ndërhyrjes policore u sekuestruan një shumë eurosh, e dyshuar se ishte përfituar nga kjo veprimtari, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe dy telefona celularë.
Hetimet vijojnë për raste të tjera
Policia bën me dije se hetimi, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon për të dokumentuar raste të tjera të dyshuara të kësaj veprimtarie dhe për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Tiranës falënderoi gazetarët e emisionit investigativ “STOP” për bashkëpunimin dhe deklaroi se do të vijojë t’u ofrojë qytetarëve dhe mediave shërbim policor të menjëhershëm dhe profesional, në përputhje me ligjin.







