Situatë kritike nga zjarret në Levan, 3 persona me shenja asfiksie

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Situata në zonën e Levanit në Fier vijon të jetë kritike për shkak të përhapjes së flakëve dhe tymit të dendur, ndërsa ekipet e emergjencës janë angazhuar në terren për përballimin e situatës.

Në zonë ndodhen mjekë dhe infermierë të Qendrës Shëndetësore Levan, të cilët po ofrojnë asistencë mjekësore për personat e prekur nga situata.

Në ndihmë të tyre kanë mbërritur edhe dy autoambulanca, të shoqëruara me personel shëndetësor nga Spitali Rajonal i Fierit.

Sipas të dhënave paraprake, tre persona janë paraqitur me shenja asfiksie, të shkaktuara nga tymi i dendur i zjarrit. Ekipet mjekësore vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për çdo rast tjetër që mund të paraqitet.

Ndërkohë, forcat zjarrfikëse po vijojnë betejën me flakët, në përpjekje për të kufizuar përhapjen e zjarrit dhe për ta vënë situatën nën kontroll.

Përmasat e zjarrit dhe prania e madhe e tymit e bëjnë situatën veçanërisht shqetësuese, ndërsa ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës vijon në terren.

Publikuar nga Publik Media