akuza për dokumente të falsifikuara dhe ndërhyrje në drejtësi

Një banor i Palasës i është drejtuar redaksisë së Publik.al me një denoncim mbi konfliktin e pronësisë në zonën ku po ndërton kompania “Delta”. Qytetari, i cili kërkon të mbetet anonim për shkak se jeton në zonë dhe ka familjen atje, pretendon se për sipërfaqen në fjalë ekzistojnë dokumente të falsifikuara dhe se çështja është penguar prej vitesh nga persona me lidhje politike.
Në hartën e dërguar në redaksi, zona e konfliktit është shënuar me ngjyrë jeshile, ndërsa me të kuqe është përcaktuar sipërfaqja ku, sipas denoncuesit, po ndërton aktualisht kompania “Delta”.
Burimi pretendon se prona e shënuar me jeshile është përfituar përmes një AMTP-je të falsifikuar. Ai përmend konkretisht Ben Qimen, Ed Keçkën dhe Pëllumb Memetin, duke ngritur akuza se dokumentacioni i pronës është manipuluar dhe se në këtë çështje janë ndikuar institucione të drejtësisë në Vlorë dhe Fier.
Sipas denoncimit, tre vite më parë dy prej personave të përmendur kanë dhunuar një punonjës të “Delta Group”. Qytetari pretendon se çështja është mbyllur më pas, ndonëse palët më parë kishin pasur marrëdhënie shoqërore.
Denoncuesi shpjegon se “Delta” fillimisht e bleu pronën nga një person, dokumentacioni i të cilit më vonë rezultoi i falsifikuar dhe i përfituar përmes procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Sipas tij, kjo çështje ndodhet prej vitesh në prokurori.
Duke qenë se kompania e kishte përgatitur projektin, sipas burimit, ajo u detyrua ta blinte pronën për herë të dytë, këtë herë nga banorët që pretendohet se e zotërojnë ligjërisht tokën, me AMTP të rregullta dhe koordinata të përcaktuara.
“Zona duhej të kishte kaluar në administrimin e kompanisë që prej dy vitesh, por procesi është penguar nga persona të fortë dhe të lidhur me politikën”, deklaron denoncuesi.
Ai pretendon se e njeh hollësisht zonën dhe personat e përfshirë. Në dëshminë e tij përmend edhe grupin e Selenicës, të cilin e akuzon për dhunimin e biznesmenit Ilir Trebicka. Për këtë rast ka dijeni dhe vetë kryeministri Edi Rama.
Sipas shpjegimit që shoqëron hartat, vija e kuqe përcakton pronën që “Delta” e ka blerë mbi bazën e dokumenteve të kthimit dhe kompensimit, çështje e cila pretendohet se është nën hetim. Parcelat e tjera, sipas denoncuesit, u përkasin banorëve dhe janë të pajisura me AMTP të rregullta dhe koordinata. Kjo është sipërfaqja që kryeministri Rama tha se qeveria do ta shpronësojë për ekpozitë të vajit të ullirit.







