Një zjarr ka përfshirë katin e pestë të një hoteli në Velipojë, duke shkaktuar panik dhe alarm te pushuesit që ndodheshin brenda godinës.
Ngjarja është regjistruar në rrugën 13, pranë zonës së Vilunit, ku flakët kanë përfshirë dhe dëmtuar katin e pestë të hotelit.
Pas konstatimit të zjarrit, pushuesit janë evakuuar menjëherë nga godina dhe kanë dalë në ambientet e jashtme. Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendngjarje ka mbërritur një automjet zjarrfikës, i cili qëndron në Velipojë gjatë sezonit turistik, duke nisur menjëherë ndërhyrjen për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Për përforcim të forcave në terren, nga Shkodra janë nisur edhe dy mjete të tjera zjarrfikëse, me qëllim përfundimin e operacionit dhe eliminimin e plotë të rrezikut.
Sipas të dhënave paraprake, vatra e zjarrit është neutralizuar, ndërsa pjesa tjetër e hotelit nuk paraqet rrezik për përhapjen e flakëve.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta. Pritet që grupi hetimor të kryejë verifikimet në vendngjarje dhe të përcaktojë rrethanat dhe shkakun e shpërthimit të flakëve.







