Fushë-Arrëzi del kundër bashkimit si bashki me Pukën

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Në Fushë-Arrëz kanë nisur konsultimet publike me qytetarët për propozimin e mazhorancës socialiste për bashkimin e kësaj bashkie me Pukën, në kuadër të ndryshimeve të propozuara për hartën e re territoriale.

Banorët e Fushë-Arrëzit e kanë kundërshtuar prej kohësh këtë propozim, që prej publikimit të draftit. Sipas tyre, shkrirja e bashkisë do të krijonte vështirësi të mëdha në aksesin ndaj shërbimeve administrative, veçanërisht për banorët që jetojnë në zonat më të largëta.

Në konsultimet publike ishte i pranishëm edhe Frat Andreas Valterman, i cili prej afro 20 vitesh shërben në Fushë-Arrëz. Ai tha se zona është përballur ndër vite me largim të konsiderueshëm të banorëve dhe mungesë vëmendjeje, ndërsa bashkimi me Pukën, sipas tij, rrezikon ta rëndojë edhe më tej situatën.

“Me bashkimin e Fushë-Arrëzit me Pukën, rrugët për vendimet do të jenë më të gjata. Ne do të braktisemi si qyteti edhe fshatrat”, tha Frat Andreas Valterman.

Edhe qytetarët e pranishëm në konsultime shprehën kundërshtimin e tyre ndaj propozimit. Ata argumentuan se banorët e fshatrave më të largëta do të duhet të përshkojnë distanca më të mëdha për të shkuar drejt Pukës dhe për të marrë shërbimet administrative.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre ishte nevoja që kundërshtimi ndaj bashkimit të mos kthehet në një çështje politike apo fetare. Banorët kërkuan një qëndrim të përbashkët të komunitetit për mbrojtjen e Fushë-Arrëzit.

“Është një reformë raciste dhe kaq e padrejtë që banorët e Fushë-Arrëzit i dënon të gjithë. Nuk është koha për ndasi politike e fetare. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë që të mbrojmë Fushë-Arrëzin”, tha një prej banorëve.

Një tjetër qytetar u shpreh kundër propozimit, duke paralajmëruar vështirësi të mëtejshme në marrjen e shërbimeve.

“Do të kemi më shumë vështirësi për shërbimet ndaj nesh”, u shpreh ai.

Kundërshtimi nisi para konsultimeve

Rezistenca ndaj propozimit për bashkimin e Fushë-Arrëzit me Pukën ka nisur edhe përpara zhvillimit të konsultimeve publike.

Pak javë më parë, kryetarët e Njësive Administrative dhe kryepleqtë e fshatrave të Fushë-Arrëzit zhvilluan një kuvend të përbashkët, ku shprehën kundërshtimin ndaj draftit që parashikon bashkimin e dy bashkive.

Gjithashtu, në Fushë-Arrëz janë zhvilluar disa protesta kundër kësaj nisme.

Banorët kërkojnë që Fushë-Arrëzi të vijojë të jetë bashki më vete, duke argumentuar se bashkimi me Pukën do të rrisë distancën nga institucionet vendore dhe do ta bëjë më të vështirë marrjen e shërbimeve administrative, veçanërisht për komunitetet që jetojnë në zonat e thella.

Publikuar nga Publik Media