Përplasja me armë në Vlorë, Hita: Po hetojmë versionet e palëve

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar nga Kukësi për përplasjen e ndodhur më 3 shtator në Radhimë të Vlorës, ku u përfshinë biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bedinaj.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:30, në ambientet e hotelit “Regina Palm”, në pronësi të Vasil Bedinajt. Pas veprimeve të para hetimore, Policia e Vlorës njoftoi arrestimin e pesë personave, ndërsa gjashtë të tjerë u shpallën në kërkim. Mes personave të arrestuar ndodhet edhe Luan Muça, pronar i “Delta Group”.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, pas marrjes së njoftimit, strukturat policore reaguan menjëherë dhe ndërhynë për ndalimin e personave të përfshirë në konflikt.

Hita tha se hetimet vijuan për disa orë pas ngjarjes dhe se veprimet procedurale janë ende në zhvillim, në bashkëpunim me Prokurorinë.

“Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë në masën e arrestit në flagrancë.

Vazhdoi hetimi për orë të tëra dhe, edhe në këto momente që jemi së bashku, vazhdojnë veprimet procedurale, edhe në bashkëpunim me prokurorinë.

Është një ngjarje që vërtet ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e policisë, edhe në deklaratën e parë që u dha dje nga drejtori vendor, vazhdon verifikimi i pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve”, deklaroi Hita.

Të shtënat me armë dhe automjeti i djegur

Sipas Policisë së Vlorës, përplasja është shoqëruar me dhunë fizike dhe të shtëna me armë zjarri.

Në njoftimin e policisë thuhet se Angjelo Breshani dyshohet se ka marrë armën e zjarrit që Vasil Bedinaj e posedonte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

Gjatë veprimeve hetimore, policia sekuestroi një armë zjarri dhe municion. Ndërkohë, një automjet tip “Audi A8”, i dyshuar se ishte përdorur nga disa prej personave të përfshirë në ngjarje, u gjet duke u djegur pranë zonës së Kaninës.

Megjithatë, dinamika e plotë e përplasjes mbetet ende objekt hetimi dhe policia po verifikon versionet e dhëna nga të gjitha palët.

Lamallari: Do të përcaktohet roli i secilit person

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha se hetimet e Policisë së Vlorës dhe Prokurorisë vijojnë për të zbardhur të gjithë dinamikën e konfliktit.

“Ajo çfarë është e rëndësishme, pa hyrë në çështje operacionale, që i takojnë Policisë së Shtetit, është reagimi i menjëhershëm, i shpejtë i Policisë së Shtetit.

Siç e tha drejtori, edhe tani që po flasim vijojnë veprimet hetimore. Pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do të gjenden dhe do të vihen para drejtësisë.

Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit dhe të gjitha udhëzimeve të prokurorit të çështjes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe, patjetër, për vënien para përgjegjësisë të autorëve të përfshirë në këtë situatë”, u shpreh Lamallari.

Ministri theksoi se deri në përfundimin e hetimeve dhe dhënien e një vendimi gjyqësor të formës së prerë, pretendimet e palëve dhe dyshimet e ngritura nga organet hetimore nuk mund të konsiderohen si përcaktim përfundimtar i përgjegjësisë penale.

“Hetimet e Policisë së Vlorës dhe Prokurorisë vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të përplasjes, rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe motivin e konfliktit. Deri në përfundimin e hetimeve dhe një vendim gjyqësor të formës së prerë, pretendimet e palëve dhe dyshimet e ngritura nga organet hetimore nuk përbëjnë përcaktim përfundimtar të përgjegjësisë penale”, tha ministri.

Publikuar nga Publik Media