Nufi reagon për efektivët e përfshirë në sherrin e biznesmenëve në Vlorë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar lidhur me përplasjen e ndodhur një ditë më parë në Vlorë, ku biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, së bashku me persona të tjerë, u përfshinë në një konflikt që dyshohet se lidhet me çështje pronësie.

Në ngjarje dyshohet se kanë marrë pjesë edhe dy efektivë të Policisë Ushtarake. Pas incidentit, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur pezullimin e tyre nga detyra deri në përfundimin e verifikimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave nga institucionet përgjegjëse.

Në reagimin e tij, Nufi ka sqaruar se dy efektivët nuk kanë qenë truproja apo badigardë personalë të ministrit, duke theksuar se ata janë pjesë e strukturës së Policisë Ushtarake dhe ushtrojnë funksione të përcaktuara në kuadër të Forcave të Armatosura.

Sipas ministrit, dy punonjësit janë pjesë e Policisë Ushtarake që prej vitit 2006. Në periudha të ndryshme, duke nisur nga viti 2018, ata kanë kryer edhe detyra që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe shoqërimin institucional të ministrit të Mbrojtjes.

Nufi ka theksuar se këto angazhime nuk nënkuptojnë se efektivët kanë qenë punonjës personalë të tij dhe se çdo veprim individual i tyre nuk mund t’i atribuohet institucionit apo drejtuesit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Një tjetër element i nënvizuar nga ministri është fakti se asnjëri prej dy efektivëve nuk ka qenë në shërbim në momentin kur ndodhi konflikti në Vlorë.

“Çdo veprim i tyre në këtë ngjarje, nëse konfirmohet nga organet kompetente, është veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale”, ka deklaruar Nufi.

Ministria e Mbrojtjes, sipas tij, distancohet nga çdo veprim të paligjshëm dhe do të respektojë procesin e verifikimit dhe hetimit nga organet ligjzbatuese. Përgjegjësia dhe rrethanat konkrete të ngjarjes do të përcaktohen në bazë të provave dhe konkluzioneve të autoriteteve kompetente.

Deri në përfundimin e hetimeve, dy efektivët do të qëndrojnë të pezulluar nga detyra në Policinë Ushtarake.

Ministri ka përsëritur gjithashtu se uniforma dhe autoriteti shtetëror nuk mund të përdoren për interesa personale apo jashtë kuadrit të përcaktuar nga ligji. Çdo shkelje që mund të konstatohet do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Publikuar nga Publik Media