
Një aksident i rëndë rrugor është shënuar mbrëmjen e sotme në aksin që lidh Fishtën me superstradën Lezhë–Shkodër.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Audi” është përplasur me një minipatinetë me të cilën udhëtonte një 12-vjeçar. Përplasja ka qenë fatale për të miturin, i cili u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk mundi të mbijetojë.
Pas përplasjes, drejtuesi i “Audit” ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar për t’u marrë në pyetje. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

