E hënë, Shtator 7, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet U la në burg nga GJKKO pas arrestimit, Ergys Agasi dërgohet në...

U la në burg nga GJKKO pas arrestimit, Ergys Agasi dërgohet në paraburgimin e Bradasheshit

0
18

Ergys Agasi do të dërgohet në paraburgimin e Bradasheshit, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tij.

Kujojmë se Ergys Agasi, 39 vjeç, u arrestua më 26 gusht në autostradën pranë zonës së Plepave në Durrës, pas disa muajsh në arrati.

Në momentin e arrestimit, Agasi udhëtonte me një automjet tip “Audi”, së bashku me ish-zyrtarin e Policisë së Elbasanit, Uljan Shpataraku. Ky i fundit u arrestua gjithashtu dhe akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit”. Shpataraku pritet të përballet me GJKKO-n për caktimin e masës së sigurimit.

Ergys Agasi ishte shpallur në kërkim prej dhjetorit të vitit të kaluar, në kuadër të hetimeve të SPAK për një grup të dyshuar kriminal që lidhet me manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sipas hetimeve, Agasi dyshohet se kishte rol në një skemë ku tenderat publikë paracaktoheshin, ndërsa fondet dyshohet se devijoheshin drejt kompanive dhe personave të lidhur me grupin.

Në dosjen e SPAK janë përfshirë disa zyrtarë dhe biznesmenë, mes tyre ish-drejtorja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendësja e saj Hava Delibashi, biznesmeni Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë.

Sipas SPAK, ndaj Ergys Agasit rëndojnë disa akuza: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Zjarr Tv Ad