Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, priti në një takim Drejtorin e ri të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Dashamir Spaho, të cilit i uroi suksese në detyrën e re në shërbim të rendit dhe sigurisë në qark.

Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, me theks të veçantë në menaxhimin e sezonit turistik, garantimin e rendit publik dhe rritjen e sigurisë për qytetarët e vizitorët që zgjedhin Shkodrën.

Palët vlerësuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm të institucioneve për mbarëvajtjen e sezonit veror, si në qytet ashtu edhe në zonat turistike të Bashkisë Shkodër.

Sipas kryebashkiakut Beci, bashkëpunimi institucional mbetet një element kyç për të garantuar një Shkodër më të sigurt, më të qetë dhe më mikpritëse për të gjithë.