Me argumentin se nuk ka zbatuar urdhrat e tij, kryebashkiaku Erion Veliaj, nga qelia, ka marrë vendimin për t’i tërhequr delegimin e kompetencave Anuela Ristanit për drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Në urdhrin e siguruar nga Shqiptarja.com, Veliaj argumenton se veçanërisht pasi Kushtetuesja konfirmoi vijimësinë e mandatit të tij në krye të bashkisë së Tiranës, është vënë re një shkëputje e Ristanit nga autoriteti i tij.
Veliaj thekson se Ristani në mënyrë të vazhdueshme ka refuzuar urdhrat e tij, ndërsa ka munguar edhe informimi dhe koordinimi institucional. Sipas kryebashkiakut, veprimet e saj kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
Një tjetër argument që liston Veliaj për largimin e Ristanit, është se ajo nuk ka zbatuar vendimet gjyqësore, që duket se i referohet rastit të sekretarit të përgjithshëm, Alban Dokushi. Ishte Ristani që e shkarkoi Dokushin vetëm një muaj pas arrestimit të Veliajt, por ai u rikthye në detyrë me vendim gjyqësor të formës së prerë më 3 qershor. Por, Veliaj thotë se kryetarja e komanduar nuk e zbatoi vendimin.
“Në periudhën pasuese dhe veçanërisht pas vendimmarrjes së fundit të Gjykatës Kushtetuese, është evidentuar një shkëputje progresive e ushtrimit të kompetencave të deleguara nga autoriteti kushtetues dhe ligjor i Kryetarit të zgjedhur, e materializuar në mungesën e informimit dhe të koordinimit institucional, në moszbatimin e vendimeve gjyqësore në moszbatimin dhe refuzimin e urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit, si dhe në veprime dhe mosveprime që kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit institucional të Bashkisë”, thuhet në urdhrin që mban firmën e Veliajt.
Veliaj shkruan në urdhër se situata ka arritur deri në pikën ku delegimi i kompetencave është shndërruar në një pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të tij si kryetar i zgjedhur.
“Kjo situatë ka kulmuar me refuzimin e autoritetit të Kryetarit të zgjedhur për të ushtruar kompetencat që Kushtetuta dhe ligji ia njohin drejtpërdrejt, duke krijuar një gjendje institucionale në të cilën delegimi, në vend që të realizojë qëllimin e tij fillestar të garantimit të vijimësisë administrative, është shndërruar në pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të organit delegues”, thotë Veliaj në urdhër.
Kjo nuk është hera e parë që Veliaj shkarkon si kryetare të Komaduar Ristanin. Në mars të 2025, rreth 1 muaj pas arrestimit Veliaj kaloi komandimin nga Ristani te nënkryetarja tjetër e Bashkisë asokohe Sara Goxhaj.
Lëvizje, që u përkthye si një përplasje mes Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, por asokohe kryebashkiaku hodhi poshtë zërat duke njoftuar rikthimin e Ristanit si kryetare e komanduar e Bashkisë.
Edhe pse në burg prej 10 shkurtit të 2025 Veliaj vijon të jetë kryetar ligjërisht i Bashkisë, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi nismën e Këshillit Bashkiak e më tej qeverisë për ta shkarkuar.




