Rektorati i UP-së - Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Gati pas dy vitesh hapet konkursi për sekretar të përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës ka hapur konkurs për pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Universitetit, një nga pozitat kryesore drejtuese të administratës universitare.

Këtë pozitë është duke e ushtruar Safet Thaçi që kur u miratua nga Këshilli Drejtues i UP-së më 29.09.2025.

UP vlerëson se kjo pozitë kërkon përvojë të konsiderueshme menaxheriale, aftësi të dëshmuara organizative dhe njohje të proceseve që lidhen me arsimin e lartë.

“Universiteti fton profesionistë me integritet, përvojë dhe kapacitet drejtues, të gatshëm të marrin përgjegjësi për një administratë më funksionale, më të koordinuar dhe më të orientuar drejt rezultateve.” – thuhet në njoftimin e UP-së më 01.09.2026.

Po ashtu, UP konsideron se mandati i sekretarit të përgjithshëm është një përgjegjësi e madhe dhe një mundësi për të ndikuar në mënyrën se si funksionon Universiteti.

“Sepse një universitet i fortë nuk ndërtohet vetëm në salla ligjërimesh dhe laboratorë. Ai kërkon edhe administratë profesionale, lidership të përgjegjshëm dhe menaxhim që funksionon me standarde të larta.” – shton UP.

Afati për aplikim është nga data 01.09.2026 deri më 30.09.2026 në orën 16:00.

Kriteret, dokumentacionin e nevojshëm dhe informacionet e plota për aplikim mund t’i gjeni në këtë LINK.

Thaçin e kishte propozuar rektori Hajrullahu pas dorëheqjes së Besnik Loxhës që kishte ofruar dorëheqje nga pozita që e kishte mbajtur një vit, nga data 27.09.2024.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues të UP-së më 29.09.2025, Hajrullahu kishte thënë se ka disa muaj që ka kërkuar të shpallet konkursi i rregullt për sekretar të UP-së, por nuk ka ndodhur.

Këshilli Drejtues i UP-së nuk kishte pranuar të hapej pozita për sekretarin e përgjithshëm të UP-së në mbledhjen e datës 22.05.2025, pasi ishin arsyetuar se janë në fund të mandatit si anëtarë të Këshillit dhe nuk duan që në këtë periudhë të hapet ky konkurs dhe të tjera pozita të drejtorëve të zyrave administrative të UP-së.

Në anën tjetër, Besnik Loxha ishte propozuar nga rektori Hajrullahu për u.d. sekretar të përgjithshëm të UP-së pasi më 26.09.2024 Këshilli Drejtues i UP-së e liroi nga kjo detyrë Besfort Krasniqin.

Krasniqi u lirua nga detyra pas votimit të fshehtë të anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe pasi ishte vlerësuar si përgjegjës për keqmenaxhim të buxhetit të UP-së.

Këshilli Drejtues i UP-së është organi kryesor qeverisës, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë.

Këshilli Drejtues i UP-së përbëhet nga: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela-Turjaka (zëvendëskryetare) dhe anëtarët – Myesere Hoxha, Berenika Gashi, Arian Krasniqi, Teuta Jashari-Kajtazi, Mimoza Ibrani, Vjosa Fejza-Ademi dhe Kurtesh Sherifi.

Më shumë se një vit UP me ushtrues detyre të sekretarit të përgjithshëm