Anketë me operatorët: Turistët më të pasjellshëm janë nga Italia

Një sondazh i ri i opinionit midis operatorëve turistikë zbulon se si i shohin ata turistët nga 15 kombësi të ndryshme: kush konsiderohen më të sjellshmit, kush shpenzon dhe jep bakshishin më të madh, kush është më i prirur drejt aventurës dhe kush është veçanërisht i interesuar për ushqimin. Anketa u krye mes 192 operatorësh turistikë nga “SafariBookings” – një platformë e specializuar në organizimin e turave safari në Afrikë. Të anketuarve iu bënë pesë pyetje rreth sjelljes së turistëve nga kombësi të ndryshme.

Hulumtimi tregon se nuk ekziston një komb që është “më i miri” në të gjitha kategoritë. Disa dalin në pah për sjellshmërinë, të tjerë për bujarinë, të tjerë për shpirtin aventurier dhe të tjerë për dashurinë ndaj ushqimit. Kur flitet për sjellshmërinë, japonezët e fituan vendin e parë me bindje – me 21,1 për qind përgjigje pozitive nga operatorët e anketuar. Pas tyre vijnë norvegjezët me 10,6 për qind dhe zviceranët me 10,4 për qind, ndërsa kanadezët dhe amerikanët ishin gjithashtu ndër turistët më të vlerësuar. Në fund të listës janë italianët. Vetëm 1,3 për qind e të anketuarve i përmendën si turistë të sjellshëm.

Plot 29,5 për qind e të anketuarve i përmendën amerikanët si turistët që lënë bakshishin më të madh. Pas tyre vijnë gjermanët me 13,1 për qind, kanadezët me 10 për qind dhe zviceranët me 8,6 për qind. Amerikanët janë të parët edhe kur bëhet fjalë për shpenzimet. Rreth 24 për qind e të anketuarve i veçuan si turistët që shpenzojnë më shumë gjatë udhëtimit.

Kur bëhet fjalë për aventurën dhe pushimin aktiv, maja është e zënë nga evropianët. Gjermanët janë të parët, me 21,1 për qind të votave, pastaj francezët me 17,8 për qind dhe holandezët me 11 për qind. Në fund të kësaj kategorie janë britanikët dhe indianët, me nga 4,5 për qind, dhe spanjollët me 4,3 për qind të votave.

Duke folur për turistët për të cilët ushqimi është një nga pjesët më të rëndësishme të udhëtimit, vendet aziatike janë në krye të listës. Indianët janë në vendin e parë, japonezët të dytët, ndërsa francezët të tretët. Kinezët janë në vendin e katërt, pastaj vijnë holandezët dhe italianët.