Lajme nga Bota

Pas 30 vitesh, ka një fajtor për vrasjen e Tupac Shakur

Pas gati tre dekadash mister dhe teorish konspirative, çështja e vrasjes së reperit të famshëm Tupac Shakur ka marrë një kthesë të rëndësishme.

Duane “Keffe D” Davis, ish-kreu i bandës South Side Compton Crips, është shpallur fajtor nga një juri në Las Vegas për rolin e tij në organizimin e vrasjes së reperit.

Tupac Shakur u qëllua më 7 shtator 1996, në Las Vegas, nga një automjet në lëvizje. Reperi ndërroi jetë disa ditë më vonë, në moshën vetëm 25-vjeçare.

Gjatë gjyqit, prokuroria argumentoi se Davis nuk ishte personi që tërhoqi këmbëzën, por se ai kishte organizuar sulmin, kishte siguruar armën dhe kishte nxitur hakmarrjen.

Sipas prokurorëve, gjithçka nisi pas një përleshjeje që ndodhi disa orë para vrasjes, ku nipi i Davis, Orlando Anderson, u përfshi në një konflikt me Tupac dhe personat që e shoqëronin.

Për rreth 30 vjet, vrasja e një prej figurave më të mëdha të hip-hopit mbeti e pazbardhur dhe u shoqërua me dhjetëra teori. Tani, për herë të parë, një person është dënuar për rolin e tij në këtë çështje.

Davis, 63 vjeç, nuk shfaqi emocione gjatë leximit të vendimit dhe deklaroi se do ta apelojë atë.

Një nga provat kryesore kundër tij ishin deklaratat e bëra ndër vite nga vetë Davis, i cili kishte pranuar publikisht se ndodhej në Cadillac-un e bardhë nga i cili u qëllua ndaj makinës së Tupac.

Shakur mbetet një nga reperët më të suksesshëm dhe më me ndikim në historinë e muzikës. Ai ka shitur më shumë se 75 milionë albume në mbarë botën.

Vendimi i gjykatës shënon kështu një nga zhvillimet më të rëndësishme në një prej mistereve më të famshme të historisë së hip-hopit.