Më 7 shtator, duke filluar nga ora 21:00, në sheshin përpara Muzeut të Maqedonisë, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, do të mbahet ngjarja multimediale “Arti e thyen heshtjen”, kushtuar 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë.
Ndryshe nga festimet klasike dhe aktivitetet me karakter protokollar, organizatorët kanë përgatitur një mbrëmje që ndërthur artin bashkëkohor, muzikën, poezinë, performancën, artin vizual, video-mapping-un dhe kulturën urbane të klubeve.
Një nga veçoritë e kësaj ngjarjeje është edhe përfshirja e artistëve shqiptarë dhe e shprehjes në gjuhën shqipe, duke e bërë programin më përfaqësues të realitetit multikulturor të Shkupit dhe të Maqedonisë së Veriut.
Në program do të jetë edhe Laura Karliu, e cila përmes interpretimeve në maqedonisht dhe shqip e shndërron muzikën në një urë lidhëse mes komuniteteve të ndryshme gjuhësore dhe kulturore. Gjithashtu në këtë aktivitet do të shfaqen edhe veprat e piktorit Reshat Ahmeti.
Pjesë e programit janë edhe Jana Stojanovska dhe Mishel Trajkovski – Skopje Via, të cilët përmes shprehjes së tyre artistike hapin tema si diversiteti, përkatësia dhe lidhja mes komuniteteve.
Në këtë mënyrë, “Arti e thyen heshtjen” sjell një qasje ndryshe nga ajo që publiku ka parë në disa prej karavaneve dhe manifestimeve shtetërore të organizuara gjatë periudhës së festimeve, ku prania dhe përfaqësimi i artistëve shqiptarë ka qenë shumë e kufizuar. Kjo ngjarje synon të tregojë se një festë e përbashkët e pavarësisë mund të jetë edhe hapësirë ku shqiptarët, maqedonasit dhe komunitetet e tjera krijojnë dhe festojnë së bashku.
Mbrëmjen do ta hapë Igor Xhambazov, ndërsa në programin artistik do të performojnë Vesna Mikiq në harpë, Aleksandra Ilieva në saksofon, Jana Stojanovska, Mishel Trajkovski – Skopje Via dhe Laura Karliu.
Një pjesë e veçantë e mbrëmjes do t’i kushtohet edhe kulturës rome dhe rolit të saj në skenën bashkëkohore artistike. Mesazhi është i qartë: Shkupi nuk është vetëm qytet ku kulturat e ndryshme bashkëjetojnë, por edhe hapësirë ku ato mund të krijojnë së bashku.
Në kuadër të ngjarjes do të hapet edhe një ekspozitë e kuruar nga Antoni Maznevski, me pjesëmarrjen e artistëve Mihail Korubin, Kalina Brajkovska, Reshat Ahmeti, Igor Josifov, Krsto Gligorovski, Angel Miov dhe Sinisha Noveski.
Aktorja Ana Stojanovska do të performojë me një recital, duke e përmbyllur pjesën e parë të programit me poezi dhe fjalë artistike.
Më pas, skena kalon në kulturën e klubeve
Pas programit zyrtar, sheshi përpara Muzeut të Maqedonisë do të shndërrohet në një hapësirë të muzikës elektronike dhe kulturës urbane.
Programin do ta hapë Nino Fluder, së bashku me Aleksandrën në saksofon, ndërsa më pas do të performojnë Ampov dhe Dimchuga nga kolektivi Buru.
Mbrëmjen do ta përmbyllë mysafirja speciale nga Greqia, Myrophora, DJ dhe prezantuese radioje nga Selaniku dhe pjesë e kolektivit grek NON.
Ajo ka performuar në Reworks në Selanik dhe në Stadiumin Panathenaik në Athinë, ndërsa ka edhe rezidencë verore në Super Paradise në Mykonos. Paralelisht, ajo është aktive si DJ dhe prezantuese radioje në FLY 104 në Selanik.
Pjesëmarrja e saj në Shkup sjell edhe një mesazh për bashkëpunimin rajonal dhe lidhjen mes skenave kulturore të vendeve fqinje.
Bashkëpunimi nuk ndërtohet vetëm me deklarata – ndërtohet përmes artistëve, muzikës, publikut dhe hapësirave ku njerëzit takohen.
“Arti e thyen heshtjen” synon pikërisht këtë: të bashkojë kulturën tradicionale me skenën urbane bashkëkohore dhe të përcjellë mesazhin se pavarësia nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por edhe mundësi për të ndërtuar një të ardhme ku të gjithë komunitetet kanë vend dhe zë.
7 SHTATOR · ORA 21:00
Sheshi përpara Muzeut të Maqedonisë
Çarshia e Vjetër e Shkupit
ARTI E THYEN HESHTJEN.





