Departamenti Amerikan i Shtetit tha se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbeten ndër prioritetet e Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Në qëndrimin e tyre, SHBA-të kanë vënë theksin te nevoja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut për trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura mes palëve.“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, deklaroi një zëdhënës i DASH.
Reagimet e SHBA-së dhe BE-së vijnë në një moment kur raportet mes Prishtinës dhe Beogradit mbeten të tensionuara, ndërsa deklaratat për lumin Ibër kanë ngritur shqetësime të reja për ndikimin e mundshëm në stabilitetin rajonal.
Çfarë deklaroi Vuçiç për lumin Ibër?
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe se për këtë çështje janë angazhuar ekspertë.
Sipas Vuçiçit, ideja lidhet me zhvillimet në zonën e Liqenit të Ujmanit dhe me prishjen e disa objekteve të serbëve në atë zonë. Deklarata e tij ka nxitur reagime dhe shqetësime për pasojat që një nismë e tillë mund të kishte për Kosovën.




















