Zjarret bëjnë “kërdinë, përpijnë mbi 2,300 hektarë në Shqipëri, 18 vatra të mëdha! Mbi 77 milionë euro dëme

Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), deri më 10 gusht në Shqipëri janë evidentuar 18 zjarre të mëdha, me një sipërfaqe të djegur prej rreth 2,297 hektarësh.Mbi 2,300 hektarë sipërfaqe janë përfshirë nga zjarret në Shqipëri që nga fillimi i vitit, ndërsa pjesa më e madhe e dëmit është shkaktuar gjatë valës së fundit të flakëve që ka goditur vendin.

Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), deri më 10 gusht në Shqipëri janë evidentuar 18 zjarre të mëdha, me një sipërfaqe të djegur prej rreth 2,297 hektarësh.

Sigal

Shifrat e EFFIS nuk përfshijnë domosdoshmërisht çdo vatër zjarri të regjistruar në territorin e vendit, pasi sistemi evropian evidenton kryesisht zjarret që përfshijnë sipërfaqe prej rreth 30 hektarësh ose më të mëdha.Pavarësisht situatës së rënduar nga zjarret gjatë ditëve të fundit, bilanci i deritanishëm mbetet shumë më i ulët krahasuar me katastrofën e vitit 2025.

Sipas të dhënave evropiane, gjatë vitit të kaluar zjarret dogjën rreth 59,900 hektarë sipërfaqe në Shqipëri, duke e renditur vitin 2025 ndër vitet më të rënda për vendin sa i përket sipërfaqes së përfshirë nga flakët.Një tjetër bilanc, ai i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), tregon përmasat e dëmit që zjarret shkaktuan në fondin pyjor dhe kullosor.

Vetëm gjatë periudhës janar–tetor 2025, rreth 33,500 hektarë fond pyjor dhe kullosor u përshkuan nga flakët, ndërsa mbi 16,100 hektarë u dogjën plotësisht.Shifrat e EFFIS dhe AKM nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme, pasi u referohen metodologjive, periudhave dhe kategorive të ndryshme të sipërfaqeve të monitoruara.Përveç pasojave në mjedis dhe fondin pyjor, zjarret e vitit të kaluar sollën edhe një faturë të rëndë ekonomike.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit e përllogariti dëmin në fondin pyjor dhe kullosor në afro 77 milionë euro.Kjo shifër nuk përfshin dëmet e shkaktuara nga zjarret në banesa, bujqësi dhe blegtori, çka do të thotë se kostoja e përgjithshme ekonomike e flakëve ishte edhe më e lartë.Vetëm qarku i Vlorës mbajti mbi gjysmën e faturës së përllogaritur për fondin pyjor dhe kullosor, me rreth 41 milionë euro dëme.

Edhe pse bilanci i vitit 2026 deri më 10 gusht është shumë larg përmasave të vitit të kaluar, situata mbetet shqetësuese, pasi sezoni i zjarreve nuk ka përfunduar ende.Temperaturat e larta dhe kushtet e thata favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa aktiviteti njerëzor mbetet gjithashtu një faktor i rëndësishëm në shpërthimin e zjarreve.

Me javët e nxehta të verës ende përpara, bilanci prej rreth 2,300 hektarësh të djegur nuk mund të konsiderohet përfundimtar, ndërsa autoritetet vijojnë të përballen me rrezikun e vatrave të reja në territorin e vendit.