Sport nga Agron Kaja/Merkato e balancuar tek trajnerët, nga tregu vendas dhe i huaj
Edhe pse në këtë periudhë të nxehtë gushti vëmendja duket se është tek ndeshjet në Europë, për skuadrat e Superiores, ritmika përgatitore ka tjetër këndvështrim. Përgatitje, miqësore dhe merkato, këta janë treguesit në të cilët kjo periudhë është duke u zhvilluar deri më 22 gusht kur do të nisin ndeshjet e Kampionatit të 88-të Kombëtar. E natyrisht që këto punë kanë në qendër të tyre edhe trajnerët, të cilët tashmë janë në fletët e fundit të programit të fazave përgatitore. Duke i parë emrat e trajnerëve të Abissnet Superiore, shohim se katër prej tyre vijnë nga tregu i huaj: Ivan Gvozdenoviç te AF Elbasani, Florin Bratu te Partizani, Dean Klafuriç te Tirana dhe maqedonasi Qatip Osmani tek Laçi. Por Ivan Gvozdenoviç te AF Elbasani e ka sezonin e tij të dytë, ndërsa tre të tjerët janë të rinj. Po cilët do jenë teknikët shqiptarë të sezonit 2026-2027 të Superiores? E nisim nga kampionia Egnatia, e cila në tre ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar ia besoi drejtimin Nevil Dedes, me të cilin do të nisë edhe këtë sezon të ri. Edhe Vllaznia do ta vazhdojë drejtimin e skuadrës me Edi Martinin, i cili rikonfirmohet nga klubi shkodran. Po kështu edhe tek bankina e Dinamo City, ku Ilir Daja duket se e ka “çimentuar” vendin e tij tek bankina blu. Ndërkohë që edhe Arjan Bellai tek Vora rikonfirmohet në këtë sezon të ri, duke e çuar në 5 numrin e teknikëve që u ribesohet bankina në skuadrat respektive: Nevil Dede, Egnatia; Ivan Gvozdenoviç te AF Elbasani; Ilir Daja te Dinamo; Edi Martini te Vllaznia dhe Arjan Bellai te Vora. Por nuk duhet harruar edhe Edlir Tetova, një nga trajnerët më të suksesshëm të momentit në Superiore, ku në drejtimin e Egnatias fitoi kampionatin Abissnet Superiore, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Tashmë ai ka marrë drejtimin e Teutës së Durrësit, skuadrës ku u rrit dhe u formua si futbollist. Ndërsa i vetmi trajner shqiptar që vjen rrishtaz në bankinat e Superiores të sezonit të ri, është Julian Ahmataj te Skënderbeu. Eksperiencat e tij janë në disa skuadra të Superiores dhe të Kombëtareve të moshave, por me skuadrën korçare është e dyta pas sezonit 2020-2021. Këta janë 10 trajnerët që do nisin sezonin 2026-2027 të Abissnet Superiore, me urimin që të kenë sa më shumë jetëgjatësi në bankinat respektive.
FSHF-ja ka vendosur që sezoni 2026-2027 të jetë i fundit me 10 skuadra, pasi nisur nga edicioni 2027-2028, numri i skuadrave konkurruese në elitë do të jetë 12.
KAMPIONATET DHE ORARET E NDESHJEVE, SEZONI 2026-2027
# Kampionati Abissnet Superiore fillon më datë 22 gusht 2026 dhe mbaron në datën 9 maj 2027. Oraret e zhvillimit të ndeshjeve: 13:30, 16:00, 18:30, 21:00
# Kampionati Kategoria e Parë fillon më datë 5 shtator 2026 dhe mbaron në datën 2 maj 2027. Oraret e zhvillimit të ndeshjeve do jenë: 13:30, 16:00, 18:30, 21:00
Trajneri Bratu ndërton Partizanin e ideve të tij
Aktualisht, te skuadra e Partizanit ndryshimet nuk kanë prekur vetëm stolin. Në këtë periudhë ndryshimi i parë ishte bankina me rumunin, i cili tashmë po përpiqet të ndërtojë Partizanin sipas ideve të tij. Ai duket se po i përmbys “demat”, dhe Partizani i sezonit 2026-2027 do të zbresë në fushë me një fytyrë të re. Në testin e fundit ndaj Besëlidhjes në Lezhë do të formatohet formacioni, pasi një javë më pas nis kampionati me sfidë ndaj Teutës, ndeshje që do të inaugurojë edhe tapetin e ri të stadiumit. Por në Lezhë do kuptohet më qartë se cilat janë idetë e Bratusë, si dhe formacioni që ai do të besojë për startin e sezonit. Formacionet e sezonit të kaluar me ato të miqësoreve të kësaj vere, tregon sa ka ndryshuar fytyra e Partizanit.
Shifra për rekord, në hyrje dhe dalje fiksohen 203 emra
Në çdo stinë vere kur skuadrat hyjnë në programin përgatitor për sezonin e ri, ka lëvizje të shumta me hyrje dhe dalje të futbollistëve nëpër skuadra, të shoqëruara më pak edhe më lëvizje të trajnerëve. Por në këtë prag të sezonit të ri 2026-2027, lëvizjet e futbollistëve janë të shumta, si në largimet ashtu edhe në afrime, duke menduar se sezoni është i gjatë dhe duhen forca për ta përballuar. Aktualisht, me këto lëvizje, deri dje janë bërë 99 afrime dhe 104 largime. Të gjithë trajnerët dhe stafet e tyre kanë projektuar skuadrat që do hedhin në fushë, me gjithë futbollistët e tjerë që do të kenë në dispozicion, të paktën deri në merkaton e dimrit në muajin janar 2027. Duke ju referuar deklarimeve që drejtuesit e skuadrave kanë bërë mediatikisht, por edhe zyrtarisht, Skënderbeu është skuadra që brenda saj ka më shumë lëvizje, 26. Korçarët i janë reëferuar më shumë tregut me futbollistë të huaj, nga të cilët ka edhe nga ata që vijnë nga skuadra të tjera të Superiores. Më pas vjen AF Elbasani me 23 lëvizje në hyrje dhe dalje, ndërsa Egnatia kap numrin 21 në këto lëvizje. Po kështu edhe skuadrat e tjera, ku numri 18-19 është bazë me afrimet e largimet, për tu ndalur vetëm tek skuadra e Laçit, e cila është treguar më “nikoqire” në këtë merkato vere. Referuar 3 afrimeve dhe 4 largimeve, laçianët janë përqëndruar më shumë tek elementi i sezonit të kaluar ku edhe u shpallën kampionë të Kategorisë së Parë. Krahasuar me merkaton e verës në sezonin e kaluar, duket se ky sezon i ri do të jetë më i fortë me skemën e re, pa “Final 4”, por me alternime përballjesh, nisur nga renditjet. Përveçse janë 203 emra futbollistësh që janë brenda kësaj merkatoje, janë edhe 5 trajnerë që do të ulen në bankinë. Në fokusin e shifrave, ndoshta do të kemi një rekord merkatoje, pasi ajo është e hapur deri në fundin e muajit gusht 2026, ndërsa kampionati fillon më 22 gusht.
Sembene ndryshon skuadrën, jo kryeqytetin!
Futbollisti Saliu Sembene ka befasuar teksa është shfaqur me fanellën e Dinamos në palestër. Ai ka postuar një video ku ka përmendur Partizanin si opsionin e vetëm në Shqipëri, por veprimet e tij në lidhje me Vllazninë dhe Dinamon kanë bërë që emri i tij të futej në radarin e këtyre klubeve gjatë merkatos së verës.





















