Gjermani: Partia e ekstremit të djathtë AfD fiton zgjedhjet parlamentare në Saksoni-Anhalt…

Shpërndaje

Partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) rezulton forcë e parë në zgjedhjet për parlamentin e landit Saksoni-Anhalt, sipas rezultateve të para të eksitpolleve të publikuara nga televizioni gjerman ARD.

AfD ka siguruar rreth 44.5 për qind të votave, duke shënuar një rritje prej 23.7 pikësh përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Me këtë rezultat, partia ka dalë dukshëm përpara rivalëve, por nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.

Rreth 1.7 milionë qytetarë kishin të drejtë vote në këtë land, ndërsa qendrat e votimit u mbyllën në orën 18:00.

Në vendin e dytë është renditur Unioni Kristian Demokrat (CDU), me 18.5 për qind, duke pësuar një rënie të ndjeshme prej 18.6 pikësh krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Partia e Majtë ka marrë 9.5 për qind dhe është renditur e treta, ndërsa të katërtit janë Të Gjelbrit me 9 për qind. Socialdemokratët (SPD) kanë siguruar 8 për qind të votave.

Sipas eksitpolleve, Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) ka marrë rreth 5 për qind, duke qenë pranë pragut elektoral. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse do ta kalojë përfundimisht pragun prej 5 për qind pas numërimit të të gjitha votave.

Ndërkohë, Partia e Lirë Demokratike (FDP) ka marrë vetëm 2 për qind dhe nuk ka arritur të sigurojë përfaqësim në parlamentin e landit.

Rezultati i AfD-së e bën formimin e qeverisë veçanërisht të vështirë, pasi një koalicion mes partive të tjera do të ishte i nevojshëm për të krijuar një shumicë pa përfshirjen e saj.

Rezultatet zyrtare dhe përfundimtare pritet të bëhen publike gjatë orëve të ardhshme.

Shpërndaje