
Shiroka ka qenë këtë të diel në qendër të vëmendjes së sportdashësve, me zhvillimin e edicionit të 14-të të Triathlon “Labeat”. Gara, e zhvilluar përgjatë Liqenit të Shkodrës, bashkoi sportistë që u përballën me tre disiplina: notin, çiklizmin dhe vrapimin.
Edicioni i këtij viti solli një pjesëmarrje më të lartë të garuesve nga Shqipëria, por edhe nga vende të tjera të rajonit. Rritja e interesit për këtë aktivitet e ka kthyer tashmë “Labeat” në një prej eventeve të njohura sportive që zhvillohen në Shkodër.
Përtej garës, organizatorët synojnë të promovojnë aktivitetin fizik dhe një mënyrë jetese aktive, veçanërisht tek të rinjtë dhe të apasionuarit pas sporteve në natyrë.
Triathlon “Labeat” organizohet në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe shërben njëkohësisht si një mundësi për të promovuar bukuritë natyrore të zonës. Shiroka dhe Liqeni i Shkodrës krijojnë kushtet dhe panoramën e përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive në natyrë.
Pas 14 vitesh, kjo garë është kthyer në një traditë të konsoliduar sportive për Shkodrën, ndërsa pjesëmarrja në rritje nga viti në vit synon ta forcojë më tej pozicionin e saj në kalendarin e aktiviteteve sportive.








