Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për armëmbajtje pa leje dhe dhunë në familje është ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë.
Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, specialistët e Drejtorisë së Interpolit, në bashkëpunim me autoritetet e Interpol Abu Dhabit, kanë finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit Bamir Halili (Axhami), 30 vjeç, lindur në Kukës.
Halili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Dhuna në familje”.
Pas ekstradimit, 30-vjeçari do të përballet me procedurat ligjore në Shqipëri për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

