Ky është momenti kur këngëtari Jozefin Marku dërgohet në ambientet e Komisariatit të Policisë në Tiranë, në lidhje me konfliktin e ndodhur pak ditë më parë pranë mbikalimit të Rinasit, ku u dhunua Eduart Kuçi.
Policia e Tiranës bëri me dije se Marku është ndaluar së bashku me një tjetër person, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ndaj Jozefin Markut rëndojnë pesë akuza: “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Në lidhje me ngjarjen është ndaluar edhe një 31-vjeçar, i dyshuar se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover” që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni, ndërsa automjeti është sekuestruar si provë materiale.
Sipas policisë, personat e ndaluar, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, dyshohet se kanë dhunuar Eduart Kuçin, pas një konflikti që dyshohet se ka nisur për shkak të një fyerjeje.
Ndërkohë, dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

