Rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, ISHP nis hetimin në Korçë

26 Gusht 2026 | 10:32

Pas konfirmimit të rastit të parë me virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimin epidemiologjik në qarkun e Korçës.

Një ekip specialistësh të ISHP-së nga Tirana ka mbërritur në terren, ku po kryen hetimin entomologjik dhe depistimin në vatër, me qëllim identifikimin e mushkonjave që mund të transmetojnë virusin dhe marrjen e masave të nevojshme për kontrollin e tyre.

Rasti i konfirmuar i përket një 72-vjeçari nga Korça, i cili ndodhet aktualisht në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr trajtimin mjekësor. I moshuari banon në qytetin e Korçës dhe dyshohet se është pickuar nga një mushkonjë gjatë qëndrimit në një lulishte, ku kalonte një pjesë të konsiderueshme të ditës.

Pas shfaqjes së shqetësimeve shëndetësore, 72-vjeçari iu drejtua spitalit, ndërsa analizat laboratorike konfirmuan infektimin me virusin e Nilit Perëndimor.

Ndërkohë, specialistët e ISHP-së po kryejnë kontrolle në zona të ndryshme të qarkut të Korçës për të evidentuar praninë e mushkonjës bartëse të virusit dhe për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren për frenimin e përhapjes së saj.

Në kuadër të hetimit dhe masave parandaluese, ekipet e specializuara po kryejnë edhe depistimin në vatër. Në zonat ku konstatohet prania e mushkonjave, pritet të ndërhyhet me dezinfektim dhe trajtime të posaçme.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në shumicën e rasteve, infeksioni mund të kalojë pa simptoma ose të shfaqet me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella.

Në rastet e rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikacione serioze.

Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin në terren, ndërsa hetimi i ISHP-së pritet të përcaktojë shkallën e pranisë së mushkonjës bartëse në zonë dhe masat që do të ndërmerren për parandalimin e rasteve të tjera.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

40 vite mes zjarrit, hekurit dhe çekanit, Merita sfidoi një zanat të “burrave”: Po ta kesh qejf, e bën (VIDEO)

Merita Hodja ka zgjedhur të sfidojë një profesion të konsideruar tradicionalisht për burra, duke punuar çdo ditë krah bashkëshortit të saj në një punishte në...
20:54 | 04/09/2026

Panairi “DUART” rikthehet në Green Coast, arti dhe mjeshtëria në zemër të bregdetit

Punimet e dorës, materialet dhe procesi krijues pas çdo objekti artizanal ishin në qendër të edicionit të katërt të Panairit të Produkteve Artizanale, i cili...
20:03 | 04/09/2026

Vetmia dhe izolimi i moshës së tretë, ekspertët ngrenë alarmin

Dekadën e fundit, edhe Shqipëria po përballet me një rritje të rasteve të vetëvrasjeve. Statistikat flasin për afro 8 raste për 100 mijë banorë, ndërsa...
19:39 | 04/09/2026