Forumi në Cernobbio, Rama: Përjashtimi i Ballkanit nga tregu europian është një “vendim luksi”. Rajoni ka lëndët e para, nuk mund të lihet jashtë
Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për atë që e cilësoi si përjashtim të Ballkanit Perëndimor nga disa prej politikave dhe instrumenteve strategjike të Bashkimit Europian, duke kërkuar një përfshirje më të madhe të rajonit në tregun dhe projektet e përbashkëta europiane.
Rama tha se nëse Europa kërkon autonomi strategjike dhe një treg të vërtetë të përbashkët, Ballkani Perëndimor nuk mund të mbetet jashtë.
Duke folur në Forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”, në panelin “Agjenda për Europën”, Rama tha se vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet jashtë disa prej këtyre mekanizmave, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëndët e para kritike.
“Flasim për një Europë dhe një treg të vetëm, dhe kuptova se Ballkani nuk ishte aspak i përfshirë. Kjo duket sikur është një vendim luksi për të na lënë jashtë. Një nga objektivat e Europës sot është autonomia strategjike në lëndët e para kritike. Është e qartë për mua që, ndërkohë që në Ballkan kemi një sasi shumë të rëndësishme të lëndëve të para, ne praktikisht jemi jashtë qasjes së përbashkët në këtë drejtim. Europa nuk mund të arrijë autonominë e vet në lëndët e para kritike brenda kufijve të saj dhe nëse Ballkani Perëndimor nuk do të përfshihet, dhe nëse disa instrumente nuk do të përdoren për të na futur brenda, situata mund të ndryshojë”, tha Rama.
Kryeministri u ndal veçanërisht te pasuritë natyrore të rajonit, duke argumentuar se Europa nuk mund të arrijë autonominë e saj strategjike në lëndët e para kritike pa përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.
Rama përmendi edhe Shqipërinë, duke theksuar se vendi ka rezerva të mëdha bakri dhe se po përpiqet të tërheqë investime të reja, ndërsa Europa, sipas tij, duhet të jetë më aktive në këtë drejtim.
“Shqipëria ka rezerva të mëdha bakri. Po zbrapsim kinezët dhe investues të tjerë potencialë, duke pritur që Europa të vijë. Ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me Rusinë. Jemi i vetmi vend në Europë që, që prej vitit 1960, nuk kemi pasur asnjë autoritet që të na vizitojë apo një avion që të niset nga Tirana në Moskë dhe nuk na merr malli. Jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi një investim të mirëfilltë kinez dhe nuk na mungon”, tha Rama.
Në fjalën e tij, Rama kritikoi gjithashtu ritmin e Europës në teknologji dhe kërkim shkencor, duke e lidhur këtë me nevojën për një treg më të integruar dhe politika më gjithëpërfshirëse.
“Lidhur me teknologjinë, katër nga 50 kompanitë më të mëdha për kërkimin shkencor janë në Europë dhe nuk ka asnjë universitet të BE-së në 20 të parët, ndërsa ka vetëm dy të tillë në 50 të parët”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




