Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me situatën e pazakontë të krijuar rreth ekzekutimit të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Përmes një deklaratë publike, shoqata sqaron se bllokimi i meqenësishëm nuk lidhet me kërkesa të reja për rritje apo privilegje, por me dështimin e institucioneve shtetërore për të zbatuar një vendim detyrues të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Shoqatës së Prokurorëve, pasi Kuvendi i Shqipërisë nuk i miratoi ndryshimet ligjore brenda afatit të caktuar të 31 korrikut, nga data 1 gusht 2026 hyri automatikisht në fuqi mekanizmi i parashikuar nga vetë Gjykata Kushtetuese në Vendimin nr. 35/2022. Për këtë arsye, Këshilli i Lartë Gjyqësor (me vendimin nr. 435/2026) dhe Këshilli i Lartë Prokurorial (me vendimin nr. 144/2026) miratuan pagën referuese dhe udhëzuan strukturat përkatëse për nisjen e pagesave. Formula e zbatuar nuk është pjellë e KLGJ apo KLP, por pasojë e drejtpërdrejtë juridike e vendimit kushtetues.
Ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët vazhdojnë të ushtrojnë detyrën pa marrë pagat e tyre të detyrueshme, çështja shkon përtej interesit financiar personal. Shoqata nënvizon se pyetja kryesore lidhet me faktin nëse vendimet e formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese do të respektohen nga institucionet e shtetit. Nëse ndonjë institucion ka pretendime apo kundërshtime ligjore ndaj vendimeve të KLGJ apo KLP, ai duhet të përdorë rrugët dhe mekanizmat gjyqësorë, e jo të ndërmarrë bllokime administrative të pagave.

















