Festivali Kombëtar i Filmit shqiptar, kineastët dhe publiku në një takim me kinemanë

Film | 1 ditë më parë

Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, në edicionin e tij të 14-të, vijon aktivitetet me projeksione, takime me kineastë dhe një program të gjerë filmash, duke sjellë në vëmendje autorë, histori dhe këndvështrime të ndryshme të kinematografisë shqiptare.

Nga filmat artistikë te dokumentarët e filmat e shkurtër, programi shtrihet në disa hapësira të kryeqytetit. Regjisori Robert Budina tregon për dy prej veprave të tij, “Pikë Uji” dhe “AGON”, filma që tashmë janë pjesë e programit të festivalit.

Për Budinën, rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar është një moment i rëndësishëm për vetë komunitetin e kinemasë.

“I pari është “Agon” që është xhiruar në vitin 2011 në Selanik në Greqi si bën fjalë për dy vëllezër shqiptarë të njëri i emigruar, i martuar me një vajzë greke, vëlla i vogël që vjen nga Shqipëria me atë dëshirën për t’i kapur gjërat shpejtë. Filmi i dytë është “Pikë uji” që është një temë e ditëve të sotme. Një nënë e cila është në kulmin e karrierës, ka gjithçka, por papritur djali i saj kryen diçka që gjithë që ka ndërtuar deri më sot e venë në rrezik. Do isha shumë i lumtur nëse publiku do shkonte ndiqte jo vetëm filmat e mi, por të gjithë filmat, sepse flitet për kinematografinë mbas viteve 90, por më shumë flitet para viteve 90 dhe është një konkurrencë absurd”, tha ai.

Një tjetër emër i kinemasë shqiptare, regjisori Andamion Murataj, është pjesë e këtij edicioni me filmin “Burri i Shtëpisë”. Filmi është një tjetër prej produksioneve që i jep festivalit mundësinë të sjellë përballë publikut krijimtarinë e kineastëve shqiptarë dhe historitë që ata zgjedhin të tregojnë përmes ekranit.

“Është një kënaqësi të jemi këtu në festivalin e 14 të filmit shqiptar. Unë pas një rruge të festivaleve ndërkombëtare prezantoj premierën shqiptare të filmit “Burri i shtëpisë’, i cili është një co-produksion midis Shqipërisë dhe pesë vend të tjera europiane. Është kënaqësi e vërtetë sepse ky festivali ka munguar prej kohe, audiencës shqiptare dhe nuk ka gjë më të bukur që është një festë të film, sepse kemi shansin të shohim jo vetëm disa filma shqiptarë, or filmat më të mirë shqiptarë të paktën 14 viteve të fundit”, tha ai.

Përtej konkurrimit dhe çmimeve, festivali synon të krijojë ura komunikimi mes kinematografisë shqiptare dhe publikut, si dhe të afrojë brezin e ri me industrinë e filmit. Pas një periudhe mungese, rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar është më shumë se një kalendar projektesh, që këtë vit sjell Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) si partner kryesor mediatik. Është rikthimi i një hapësire ku filmi shqiptar shihet, diskutohet dhe vlerësohet. Dhe ndërsa ekranet vijojnë të ndizen në Tiranë, festivali vijon të përcjellë të njëjtin mesazh: kinemaja shqiptare ka histori për të treguar, por mbi të gjitha ka ende shumë histori për t’u parë.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme