Gjatë gjithë korrikut dhe në ditët e para të gushtit, disa organizata mjedisore në Sardenjë protestuan kundër ndërtimit të një resorti gjigant luksoz në Cala Finanza, në Gallura, në verilindje të ishullit, përballë zonës detare të mbrojtur të Tavolarës.
Aktivistët ngritën çadra, organizuan protesta ditën dhe natën, mblodhën rreth 100 mijë firma dhe përdorën dronë e rrjetet sociale për të dokumentuar dhe kundërshtuar projektin.
Protesta kundër resortit u shndërrua shpejt në një kundërshtim më të gjerë ndaj turizmit masiv, jahteve dhe hoteleve luksoze që, sipas aktivistëve, po konsumojnë gjithnjë e më shumë burimet e kufizuara të ishullit.
Disa prej tyre e lidhin këtë betejë edhe me mbrojtjen e autonomisë së veçantë të Sardenjës. Në protesta janë dëgjuar edhe thirrje si “Fintzas a s’indipendentzia”, “deri në pavarësi”, dhe “A foras”, “jashtë këtu”.
Në fillim të gushtit, prokuroria urdhëroi sekuestrimin e resortit dhe projekti u pezullua për momentin. Cala Finanza, e njohur në sardenjisht si Lu Fenosu, është një nga zonat ende relativisht të paprekura të Gallurës. Pranë bregut ndodhet Villa Joy, një vilë me pishinë dhe fushë tenisi e ndërtuar në vitet ’70.
Ajo u ble së fundmi për dhjetë milionë euro nga grupi brazilian i investimeve imobiliare JHSF Participações, i cili administron edhe zinxhirin e hoteleve luksoze Fasano. Kompania ka blerë edhe toka përreth për të zhvilluar projektin e ri.
Projekti, i quajtur Fasano al Mare Beach Club, parashikon shumë më tepër sesa një hotel. Në fazën përfundimtare synohet ndërtimi i një resorti me hotele, jahte, beach club, ambiente argëtimi, port turistik dhe heliport, në një sipërfaqe prej rreth një milion metrash katrorë.
Kompleksi do të shtrihej përgjatë rreth një kilometri bregdet dhe do të përfshinte gjashtë gjire me plazhe. Më 4 gusht, prokuroria e Tempio Pausania sekuestroi Villa Joy dhe zonat përreth.
Hetuesit dyshojnë se vila ishte përdorur si restorant, ndonëse statusi i saj urbanistik nuk e lejonte këtë funksion. U sekuestruan edhe disa rrugë dhe nisën kontrolle të tjera, përfshirë ato për gjetje të mundshme arkeologjike.
Kompania që zotëron pronën ka deklaruar se do ta apelojë vendimin. Projekti ishte favorizuar edhe nga zgjerimi i Zonave Ekonomike Speciale në të gjithë Italinë jugore.
Këto zona ofrojnë lehtësi fiskale dhe procedura më të shpejta për investitorët, por në Sardenjë janë kritikuar pikërisht për mënyrën se si mund të lehtësojnë ndërhyrje në territore të ndjeshme.
Në Cala Finanza, projekti ndodhej pranë një zone detare të mbrojtur dhe vetëm disa dhjetëra metra nga bregu, ndërsa ligji sard në fuqi që prej vitit 2006 ndalon ndërtimet brenda 300 metrave nga deti.
Aktivisti Marco Delrio e përshkruan këtë model si “turizëm ekstraktiv”, që sipas tij, i lë pak territorit, ndërsa konsumon shumë nga burimet e tij. Për aktivistët, problemi nuk është ndërtimi apo sipërmarrja në vetvete, por rreziku që Sardenja të shndërrohet në një destinacion të projektuar kryesisht për investitorët dhe turistët me të ardhura të larta.
Debati bëhet edhe më i fortë përballë rritjes së numrit të turistëve. Në vitin 2025, Sardenja regjistroi rreth 5 milionë vizitorë, 15 për qind më shumë se një vit më parë dhe 34 për qind më shumë se në vitin 2023.
Rritja është nxitur veçanërisht nga turistët e huaj, të cilët po e vizitojnë ishullin edhe jashtë muajve tradicionalë të verës. Autoritetet rajonale argumentojnë se Sardenja nuk përballet me mbingarkesë turistike gjatë gjithë vitit, pasi kufizimet gjeografike dhe infrastrukturore e frenojnë numrin e vizitorëve.
Por në disa qendra raporti mes turistëve dhe banorëve është ekstrem. Kështu Alghero me vetëm 41 mijë banorë, pret rreth 1.8 milionë turistë. Ndërsa Arzachena, ku ndodhet edhe Porto Cervo, rreth 1.4 milionë vizitorë për 13 mijë banorë.
Pikërisht këtu qëndron edhe paradoksi i modelit të ri turistik. Rajoni synon të tërheqë turistë me fuqi të lartë blerëse dhe të ndërgjegjshëm për mjedisin, por një strategji e tillë rrezikon ta bëjë Sardenjën gjithnjë e më të paarritshme për shtresat e mesme.
Ndërkohë, përballë luksit në rritje dhe presionit mbi territorin, protesta e Cala Finanzës po shndërrohet në një debat më të madh për pyetjen se për kë po zhvillohet turizmi i Sardenjës dhe çfarë çmimi po paguan ishulli për këtë zhvillim. /tesheshi.com/










