Shkeli perimetrin e sigurisë me Jet Ski, bllokohet mjeti lundrues, drejtuesi gjobitet me 500 mijë lekë

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë bllokur një Jet Ski, pas shkeljes së perimetrit të sigurisë.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi P. A., i cili ishte duke lundruara me mjet në vendin e quajtur “Ishujt e Ksamilit” rrezikoi jetën e pushuesve dhe u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj.
“Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në vendin e quajtur “Ishujt e Ksamilit”, shërbimet policore konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili kishte shkelur perimetrin e sigurisë dhe ishte futur në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Menjëherë, shërbimet ndërhynë për ndalimin e mjetit lundrues dhe, në përfundim të veprimeve administrative, e bllokuan atë.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi P. A., u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj.
Kontrollet dhe patrullimet vijojnë të pandërprera përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Policia e Shtetit apelon sërish ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit”, njoftoi policia.




