Showbiz
Elseid Hysaj realizon ëndrrën e djalit me sindromën Down për ditëlindje
29 Gusht, 2026 | 1:39 pm

Një ditëlindje që vështirë se do ta harrojë. Arbi feston 15-vjetorin dhe këtë herë dhurata e tij nuk ishte thjesht një top apo një fanellë futbolli, por takimi nga afër me një prej idhujve të tij më të mëdhenj, Elseid Hysajn.
I apasionuar pas futbollit dhe me ëndrrën që një ditë të bëhet futbollist profesionist, Arbi kishte shprehur dëshirën që për ditëlindje të merrte një top dhe fanellën e mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare.
Por surpriza e përgatitur për të shkoi shumë më tej.
15-vjeçari pati mundësinë të takonte personalisht Hysajn, të bisedonte me të për futbollin dhe të ndante emocionet e një dite kaq të veçantë.
Edhe futbollisti kuqezi kishte menduar një dhuratë speciale. Hysaj i dhuroi Arbit këpucët e tij të futbollit të firmosura me autograf, një kujtim që padyshim do të ketë një vlerë të veçantë për të.
Surpriza nuk përfundoi me kaq. Gjatë takimit, Hysaj telefonoi edhe Kristjan Asllanin, duke i mundësuar Arbit të fliste me një tjetër prej futbollistëve të Kombëtares.
Momentet u filmuan nga stafi i Federatës Shqiptare të Futbollit, duke fiksuar emocionet dhe buzëqeshjen e 15-vjeçarit.
Për Arbin, i cili ka sindromën Down dhe një dashuri të madhe për futbollin, kjo ditëlindje u shndërrua në realizimin e një ëndrre: të takonte idhullin e tij dhe të ndihej, qoftë edhe për disa momente, edhe më pranë botës së futbollit që ëndërron.












































