Kryefjala Logo

Bota e muzikës në zi! Shuhet në moshën 80-vjeçare legjenda Dolly Parton

26 Gusht, 2026 | 2:54 pm

Bota e muzikës ka humbur një prej figurave të saj më të mëdha. Dolly Parton, këngëtarja, kantautorja, aktorja, sipërmarrësja dhe filantropja që u shndërrua në një ikonë globale, është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare.

Parton ndërroi jetë më 25 gusht 2026 në Nashville, Tennessee, pas një beteje të shkurtër me kancerin. Lajmi u bë publik nga nipi i saj, Bryan Seaver, ndërsa familja bëri të ditur se ajo u nda nga jeta e rrethuar nga njerëzit e saj të dashur. 

Me kërkesën e vetë artistes, ceremonia mortore do të jetë e vogël dhe private, vetëm për familjarët e afërt. 

Vdekja e saj vjen pas një periudhe të vështirë, gjatë së cilës Dolly kishte folur edhe publikisht për problemet shëndetësore. Pavarësisht tyre, deri në ditët e fundit ajo vazhdonte të mendonte për punën dhe projektet që dëshironte të realizonte.

Një tjetër goditje e madhe kishte ardhur në mars të vitit 2025, kur humbi bashkëshortin e saj, Carl Dean, pas gati 60 vitesh martesë. Të dy ishin martuar në vitin 1966 dhe Dean kishte zgjedhur ta kalonte pothuajse të gjithë jetën larg kamerave, pavarësisht famës botërore të bashkëshortes. Pas vdekjes së tij, Dolly i kushtoi këngën “If You Hadn’t Been There”. 

Por historia e saj kishte nisur shumë larg famës dhe pasurisë.

Dolly Rebecca Parton lindi më 19 janar 1946 në Tennessee, një nga 12 fëmijët e një familjeje me kushte tepër modeste. Varfëria, familja, besimi dhe jeta në Appalachia do të shndërroheshin më vonë në një pjesë të rëndësishme të muzikës së saj.

Ajo nisi të këndonte që fëmijë dhe, pasi përfundoi shkollën, u nis drejt Nashville me ëndrrën për të ndërtuar një karrierë në muzikë.

Në vitin 1967 publikoi albumin “Hello, I’m Dolly”, ndërsa bashkëpunimi me Porter Wagoner e ndihmoi të bëhej një emër i njohur në muzikën country.

Më pas erdhën këngët që do ta bënin të pavdekshme: “Jolene”, “Coat of Many Colors”, “9 to 5”, “Here You Come Again”, “Islands in the Stream” dhe, mbi të gjitha, “I Will Always Love You”.

Këtë të fundit Dolly e shkroi kur vendosi të ndahej profesionalisht nga Porter Wagoner. Versioni i saj u bë hit, por kënga fitoi përmasa globale në vitin 1992, kur Whitney Houston e interpretoi për filmin “The Bodyguard”. Versioni i Houston qëndroi 14 javë në krye të klasifikimit amerikan. 

Gjatë karrierës së saj, Parton shkroi rreth 3,000 këngë, shiti mbi 100 milionë disqe dhe fitoi 11 çmime Grammy, përfshirë edhe Grammy Lifetime Achievement Award. 

Ajo nuk mbeti vetëm në muzikë. Dolly shkëlqeu edhe në Hollywood, me filma si “9 to 5”, “The Best Little Whorehouse in Texas” dhe “Steel Magnolias”, duke u kthyer në një figurë të kulturës pop amerikane.

Por trashëgimia e saj shkoi shumë përtej skenës.

Në vitin 1986 hapi Dollywood, ndërsa përmes Imagination Library krijoi një nga nismat më të njohura për t’u dhuruar libra falas fëmijëve. Ajo dhuroi gjithashtu 1 milion dollarë për kërkimet në Vanderbilt që kontribuuan në zhvillimin e vaksinës Moderna kundër COVID-19. 

Deri në fund, Dolly vazhdoi të krijonte. Muzikali autobiografik “Dolly: A True Original Musical” ishte planifikuar të mbërrinte në Broadway në fund të vitit 2026. 

Nga një vajzë e rritur në varfëri në malet e Tennessee-s, ajo u kthye në “Mbretëreshën e Country Music”, një grua që ndërtoi një perandori, por që e konsideronte krijimtarinë si trashëgiminë e saj më të rëndësishme.

Dolly Parton largohet duke lënë pas shtatë dekada muzikë, mijëra këngë dhe një ndikim që vështirë se mund të matet vetëm me çmime e rekorde.

Dhe sot, titulli i këngës që ajo shkroi më shumë se gjysmë shekulli më parë tingëllon si lamtumira më e natyrshme:

“I Will Always Love You.”

Të ngjashme