Kryefjala Logo

Mashtrime në emër të bankës digjitale Jet Bank Albania? Qytetari denoncon rastin: “Më morën të dhënat dhe bonusi nuk erdhi”

25 Gusht, 2026 | 8:27 pm

Një rast i dyshuar mashtrimi në emër të Jet Bank Albania është denoncuar nga një qytetar, i cili pretendon se është kontaktuar në telefon nga persona që i janë prezantuar si përfaqësues të bankës digjitale.

Sipas denoncimit të bërë publik nga JOQ Albania, qytetarit i është komunikuar se ishte përzgjedhur për të hapur një llogari dhe se, në këmbim, do të përfitonte disa benefite, mes tyre edhe një bonus në para.

Ai pretendon se gjatë telefonatës i është thënë gjithashtu se tërheqjet dhe depozitimet do të kryheshin me 0% interes.

Duke besuar se po komunikonte me përfaqësues të Jet Bank, qytetari thotë se ka dhënë të dhënat që i janë kërkuar dhe ka hapur llogarinë. Më pas, sipas tij, i është premtuar se brenda 48 orësh do t’i kreditohej bonusi.

Por qytetari pretendon se kanë kaluar 5-6 ditë dhe shuma e premtuar nuk është kredituar.

Pas kësaj, ai thotë se ka kërkuar mbylljen e llogarisë, por pretendon se kërkesa e tij nuk është pranuar.

Situata ka ngritur shqetësime tek denoncuesi edhe për mënyrën se si mund të përdoren të dhënat personale që ka dorëzuar. Ai shprehet se disponon komunikimet e zhvilluara me personat që e kanë kontaktuar dhe kërkon që rasti të verifikohet nga institucionet përkatëse.

“Të vjedhin të dhënat, të hapin një llogari virtuale dhe të thonë që ke përfituar një bonus, gjë që bonusi nuk ekziston”, pretendon ndër të tjera qytetari në denoncimin e tij.

Megjithatë, në këtë fazë nuk është e verifikuar nëse personat që kanë kontaktuar qytetarin janë punonjës apo përfaqësues të Jet Bank Albania, apo nëse emri i bankës është përdorur nga persona të tretë. Po ashtu, pretendimet e qytetarit për bonusin dhe pamundësinë e mbylljes së llogarisë mbeten për t’u verifikuar.

Rasti ngre pikëpyetje serioze, veçanërisht për sigurinë e të dhënave personale dhe për përdorimin e emrit të institucioneve financiare në komunikime telefonike.

Jet Bank Albania duhet të sqarojë nëse telefonatat dhe ofertat e përshkruara nga qytetari janë pjesë e fushatave të saj zyrtare apo nëse kemi të bëjmë me persona që po përdorin emrin e bankës pa autorizim.

Deri në një reagim zyrtar, bëhet fjalë për pretendime të denoncuesit dhe jo për fakte të provuara. Qëndrimi i Jet Bank Albania lidhur me rastin do të ishte i rëndësishëm për të sqaruar se çfarë ka ndodhur dhe nëse të dhënat e qytetarit janë administruar nga vetë banka apo nga persona të tretë.

17ee101b 65c5 438a b68b 4b3c75d913e6 47fbb611 70ad 4c0b 9c9c 42f2aeaf2f2a a65e0979 3e0f 4e4f 94c5 8a103b37c297

Të ngjashme