Kriza e Gianni Infantinos është vetëm simptoma. Beteja e vërtetë është nëse UEFA mund ta shndërrojë unitetin, modelin sportiv dhe peshën e saj në një projekt global për qeverisjen e futbollit.
Krizat e mëdha institucionale shpesh nisin nga një dokument që, në pamje të parë, duket teknik. Në rastin e FIFA-s, dokumenti quhej “FIFA Forward Enterprise”.
Propozimi synonte të riorganizonte veprimtaritë tregtare të FIFA-s dhe t’i hapte kapitalit të jashtëm një interes ekonomik në strukturën që do të administronte vlerën e Kupës së Botës dhe të kompeticioneve të tjera. FIFA e paraqiti si një mënyrë për të shumëfishuar fondet e zhvillimit dhe këmbënguli se kontrolli përfundimtar mbi futbollin do të mbetej te federatat anëtare. Kundërshtarët e projektit panë diçka tjetër: rrezikun që kompeticionet e futbollit të lidheshin për një periudhë të gjatë me detyrimin për të prodhuar kthim financiar për investitorët privatë.
Reagimi ishte i menjëhershëm. UEFA dhe 55 federatat e saj e refuzuan propozimin njëzëri; edhe Konfederata Aziatike dhe Concacaf ngritën shqetësime për procesin, mungesën e konsultimit dhe pasojat e mundshme mbi qeverisjen e futbollit. Në fund të korrikut, Gianni Infantino e tërhoqi projektin. Më pas FIFA i dha UEFA-s garanci me shkrim se ai ishte tërhequr në mënyrë të pakthyeshme dhe nuk do të rikthehej me një emër ose konstruksion tjetër.
Por tërheqja e projektit nuk e mbylli krizën. Përkundrazi, e zhvendosi debatin nga përmbajtja e një propozimi financiar te mënyra se si merret vendimi në institucionin më të fuqishëm të futbollit botëror.
Më 27 gusht, përfaqësuesit e federatave europiane të mbledhur në Monako i dhanë unanimisht mandat Presidentit dhe administratës së UEFA-s të përdornin çdo rrugë institucionale, politike dhe ligjore për të kërkuar reformë, kufij më të qartë për autoritetin presidencial dhe një hetim të jashtëm të pavarur mbi procesin e FIFA Forward Enterprise. Deklarata e tyre shkoi edhe më tej: besimi i nevojshëm për të ushtruar detyrën e Presidentit të FIFA-s, sipas tyre, ishte thyer dhe futbolli botëror kishte nevojë për një drejtim të ri.
Një ditë më pas, Federata Holandeze e Futbollit e formuloi sfidën në mënyrën më të plotë deri tani. KNVB deklaroi se nuk kishte më besim te drejtimi i Infantinos dhe se FIFA kishte nevojë për lidership të ri nga viti 2027. Megjithatë, mesazhi kryesor i holandezëve nuk ishte thjesht largimi i një Presidenti: ndryshimi i emrit, pa ndryshuar sistemin, do të ishte i pamjaftueshëm.
Nga reformatori te Presidenti që u bë “sistem”
Për të kuptuar se si erdhëm deri këtu, duhet të kthehemi në vitin 2016.
Gianni Infantino u zgjodh President i FIFA-s në një nga momentet më të errëta të historisë së organizatës. FIFA po dilte nga skandali që kishte rrëzuar epokën e Sepp Blatter-it dhe kishte humbur një pjesë të madhe të besueshmërisë së saj. Në të njëjtin Kongres ku u zgjodh Infantino, federatat miratuan një paketë reformash që premtonte kufizim mandatesh, më shumë transparencë, organe më të pavarura dhe, mbi të gjitha, ndarje më të qartë ndërmjet drejtimit politik dhe menaxhimit administrativ.
Paradoksi i situatës së sotme është pikërisht ky. Infantino erdhi në pushtet si pjesë e një momenti reformues që synonte të kufizonte personalizimin e FIFA-s. Dhjetë vjet më vonë, kritika kryesore ndaj tij është se pushteti është përqendruar rreth Presidencës dhe se kufiri ndërmjet Presidentit dhe administratës është bërë gjithnjë e më i paqartë.
Megjithatë, një analizë serioze nuk mund ta paraqesë Infantinon thjesht si karikaturën e një drejtuesi të etur për pushtet. Gjatë mandatit të tij FIFA ka rritur të ardhurat, ka zgjeruar kompeticionet dhe ka shtuar ndjeshëm fondet e zhvillimit. Fusha, qendra teknike, programe për talentet, futbollin e fëmijëve dhe të femrave, si dhe mekanizma të rinj financiarë kanë sjellë përfitime reale për shumë federata dhe klube, sidomos jashtë tregjeve më të pasura.
Pikërisht kjo shpjegon qëndrueshmërinë politike të Infantinos. Në FIFA, mbështetja nuk fitohet vetëm në Londër, Paris, Madrid apo Berlin. Ajo fitohet në federatat që kanë nevojë për infrastrukturë bazë, trajnim trajnerësh, zhvillim të kampionateve kombëtare dhe financim për ekipet përfaqësuese.
FIFA ka 211 federata anëtare dhe secila ka një votë në Kongres. Shqipëria ka të njëjtën votë si Gjermania, Brazili apo Shtetet e Bashkuara. Kjo është një nga shprehjet më të forta të barazisë formale në sportin ndërkombëtar, por krijon edhe një sistem politik ku shpërndarja e fondeve dhe marrëdhënia e drejtpërdrejtë me Presidentin marrin peshë të jashtëzakonshme.
Problemi nuk është se fondet e zhvillimit ekzistojnë. Ato janë thelbësore për misionin e FIFA-s. Problemi lind kur burimet që u takojnë institucionalisht federatave fillojnë të perceptohen si favor i drejtuesit; kur qasja te financimi lidhet, qoftë edhe në perceptim, me besnikërinë politike; dhe kur institucioni identifikohet gjithnjë e më shumë me personin që e drejton.
FIFA, institucioni që duhet të bëjë të lumtur të gjithë
Nuk ka një ekuivalent të plotë të FIFA-s në qeverisjen ndërkombëtare. Organizata të tjera të mëdha kanë mandate më të përcaktuara. FIFA, brenda një sporti të vetëm, bashkon role që zakonisht do t’u përkisnin institucioneve të ndryshme.
Ajo është njëkohësisht rregullatore e futbollit ndërkombëtar, organizatore kompeticionesh, pronare e të drejtave tregtare, shpërndarëse fondesh zhvillimi, administratore e organeve disiplinore dhe gjyqësore dhe aktore diplomatike në marrëdhëniet me qeveritë. Vendimet e saj prekin federata, klube, liga, lojtarë, trajnerë, arbitra, tifozë, sponsorë, transmetues dhe gjashtë konfederata kontinentale.
Një kompani shumëkombëshe ka aksionarë dhe një objektiv financiar të matshëm. Një organizatë ndërkombëtare publike ka një mandat të përcaktuar nga shtetet që e krijojnë. FIFA duhet të balancojë federatat e pasura dhe ato që mbijetojnë me grantet e saj; klubet që prodhojnë miliarda dhe vende që kërkojnë të ndërtojnë fushën e parë të standardeve ndërkombëtare; interesin e lojës, kërkesat tregtare dhe presionin politik.
Ajo duhet të jetë globale pa u shkëputur nga realitetet lokale; komercialisht e fuqishme pa e kthyer futbollin në një produkt të zakonshëm financiar; politikisht neutrale, por e aftë të negociojë me çdo qeveri; mbrojtëse e të drejtave të njeriut, por njëkohësisht organizatore turnesh në vende me sisteme politike, juridike dhe shoqërore krejt të ndryshme.
Askush nuk mund t’i bëjë të gjitha këto palë të lumtura njëkohësisht. Kjo nuk është domosdoshmërisht dështim i qeverisjes; është vetë natyra e institucionit. Qëllimi i një sistemi të mirë nuk duhet të jetë zhdukja e konfliktit, por administrimi i tij përmes rregullave të qarta, organeve të pavarura, transparencës dhe vendimmarrjes së kontrollueshme.
Tundimi për ta përqendruar pushtetin është pikërisht pasojë e këtij kompleksiteti. Një President i fortë mund të negociojë, të ndërmjetësojë dhe ta mbajë sistemin të bashkuar. Por kur fuqia personale zëvendëson funksionimin e organeve, stabiliteti i përkohshëm blihet me çmimin e dobësimit institucional. Presidenti nuk është më drejtuesi i sistemit; ai rrezikon të bëhet vetë sistemi.
Këtu qëndron edhe rëndësia e platformës holandeze. KNVB kërkon që Presidenti të ketë rol strategjik, përfaqësues dhe bashkues; që Këshilli i FIFA-s të qeverisë dhe të mbikëqyrë; që Kongresi të vendosë; dhe që Sekretari i Përgjithshëm e administrata të kenë pavarësinë profesionale për të menaxhuar organizatën. Me pak fjalë, pushteti duhet të ndahet ndërmjet institucioneve dhe jo të varet nga marrëdhëniet personale të drejtuesve të momentit.
Një kontinent, disa shkallë kundërshtimi
Europa po shfaq një unitet të pazakontë mbi nevojën për ndryshim, por jo të gjitha federatat kanë zgjedhur të njëjtën gjuhë. Holanda ka marrë pozicionin më të artikuluar: KNVB ka deklaruar humbjen e besimit te Infantino, kërkon lidership të ri nga viti 2027 dhe, mbi të gjitha, një reformë sistemike të FIFA-s, me ndarje më të qartë të pushteteve, kontroll të pavarur dhe një proces global që përcakton fillimisht vizionin e më pas kandidatin. Gjashtë federatat nordike - Danimarka, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Islanda dhe Ishujt Faroe - kanë deklaruar së bashku se besimi te Presidenti është humbur dhe kanë kërkuar garanci kundër hyrjes së pronësisë private në qeverisjen dhe kompeticionet e FIFA-s, si edhe një rishikim të pavarur të sistemit të kontrollit. Brenda këtij grupi, Norvegjia ka shkuar më larg duke kërkuar largimin e menjëhershëm të Infantinos, ndërsa Danimarka dhe Suedia e kanë orientuar qëndrimin e tyre drejt një alternative reale në zgjedhjet e vitit 2027.
Edhe jashtë këtij blloku, mbështetja automatike po thyhet. Italia dhe Mali i Zi kanë tërhequr mbështetjen e dhënë më parë për rizgjedhjen e Infantinos, kurse Anglia dhe Uellsi kanë kërkuar një shqyrtim të plotë të lidershipit dhe qeverisjes së FIFA-s; Franca ka përdorur një gjuhë më institucionale, duke ngritur shqetësime serioze për procesin dhe transparencën. Pra, Europa nuk është një kor që përsërit të njëjtën fjali: disa kërkojnë dorëheqje të menjëhershme, disa një kandidat të ri në vitin 2027 dhe të tjerë një hetim e reformë të thellë. Por drejtimi politik është tashmë i përbashkët: besimi i pakushtëzuar te Infantino është thyer dhe debati është zhvendosur nga një projekt i vetëm te modeli i qeverisjes së FIFA-s.
Pse kjo mund të jetë ora e Europës
Europa nuk mund ta drejtojë e vetme FIFA-n. UEFA përfaqëson 55 nga 211 federatat anëtare, pra vetëm pak më shumë se një të katërtën e votave. Edhe një Europë plotësisht e bashkuar nuk mund të zgjedhë Presidentin e FIFA-s pa ndërtuar një koalicion global.
Megjithatë, Europa hyn në këtë krizë me avantazhe që nuk i ka pasur gjithmonë.
Së pari, nën drejtimin e Aleksander Čeferin, UEFA po përjeton një nga periudhat më të qëndrueshme dhe më të bashkuara të historisë së saj moderne. Kjo nuk do të thotë se brenda futbollit europian nuk ka konflikte; përkundrazi, dallimet ekonomike dhe sportive janë të mëdha. Por UEFA ka kaluar kriza të rënda – nga pandemia dhe tentativa për Super League te përplasjet për kalendarin ndërkombëtar – pa u copëzuar politikisht.
Qëndrimi i përbashkët ndaj FIFA Forward Enterprise është prova më e fundit. Të 55 federatat europiane e refuzuan projektin, ishin të gatshme të pezullonin pjesëmarrjen në kompeticionet e FIFA-s dhe më pas i dhanë UEFA-s mandat unanim për të ndjekur reforma institucionale, politike dhe ligjore. Në një kontinent ku interesat e federatave të mëdha dhe të vogla shpesh ndryshojnë, aftësia për të folur me një zë është një aset politik i jashtëzakonshëm.
Ky unitet lidhet edhe me mënyrën e qeverisjes së UEFA-s gjatë dekadës së fundit. Čeferin ka arritur të ndërtojë marrëdhënie funksionale me federatat e vogla, pa humbur aftësinë për të negociuar me ligat dhe klubet më të fuqishme. Stabiliteti nuk është produkt vetëm i figurës së Presidentit, por i perceptimit se vendimet kryesore diskutohen brenda strukturave europiane dhe se federatat kanë një kanal real ndikimi.
Së dyti, UEFA zotëron një kapital moral dhe institucional që buron nga modeli europian i sportit. Ky model mbështetet te garat e hapura, merita sportive, ngjitja dhe rënia nga kategoritë, struktura piramidale, solidariteti financiar, sporti amator dhe lidhja e klubeve me komunitetet e tyre.
Në këtë logjikë, një klub nuk e blen përgjithmonë vendin në elitë; duhet ta fitojë në fushë. Të ardhurat e niveleve më të larta duhet të kontribuojnë edhe në zhvillimin e bazës. Pikërisht kjo e vendosi UEFA-n në krye të rezistencës ndaj Super League dhe i jep sot argumentin se Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një aset financiar që u garanton investitorëve një kthim të përhershëm.
Së treti, Europa ka kapacitetin sportiv, organizativ dhe tregtar për të dëshmuar se suksesi komercial nuk është i papajtueshëm me meritën dhe solidaritetin. Kompeticionet e UEFA-s janë ndër produktet më të fuqishme të sportit botëror, ndërsa futbolli europian mbetet qendra kryesore e talenteve, klubeve, ligave dhe infrastrukturës profesionale. Ky sukses nuk i jep Europës të drejtën për të sunduar futbollin botëror, por i jep kredenciale për të propozuar mënyra më të qëndrueshme të administrimit të tij.
Megjithatë, kapitali moral i Europës nuk është absolut. Futbolli europian vuan nga përqendrimi i pasurisë, diferencat gjithnjë e më të mëdha ndërmjet klubeve, mbingarkesa e kalendarit dhe tensioni i vazhdueshëm ndërmjet interesit sportiv dhe atij tregtar. Edhe UEFA është përballur me kritika gjyqësore dhe politike për mënyrën se si autorizon kompeticionet dhe ushtron pushtetin rregullator.
Prandaj, UEFA ka një kartë morale, por jo monopol moral. Ajo mund të kërkojë reformimin e FIFA-s vetëm nëse pranon se edhe modeli europian duhet të mbetet i hapur ndaj kontrollit, transparencës dhe përmirësimit.
Të udhëheqësh nuk do të thotë të pushtosh
Gabimi më i madh që mund të bëjë Europa do të ishte ta paraqiste krizën si një mundësi për të rimarrë kontrollin e FIFA-s.
Në Kongresin e FIFA-s, një federatë europiane nuk ka më shumë votë se një federatë afrikane, aziatike, amerikane apo oqeanike. Europa prodhon një pjesë të madhe të vlerës ekonomike dhe sportive të futbollit, por kjo nuk i jep pronësinë mbi lojën. Një fushatë që tingëllon si “ne krijojmë paratë, prandaj duhet të drejtojmë” do ta bashkonte pjesën tjetër të botës kundër saj dhe do t’i rikthente Infantinos argumentin më të fuqishëm: se ai mbron federatat e vogla nga elitat europiane.
Prandaj, Europa duhet të udhëheqë jo përmes dominimit, por përmes një oferte institucionale që është më e mirë për çdo federatë. Fakti që AFC dhe Concacaf iu bashkuan kërkesës për një hetim të pavarur tregon se ekziston hapësirë për një koalicion përtej kontinentit europian. Kjo hapësirë duhet zgjeruar me dialog, jo me ultimatume të përhershme.
Mënyra më bindëse që Europa të ketë rol kyç mund të jetë që të mos këmbëngulë domosdoshmërisht për një President europian. Një kandidat nga një konfederatë tjetër, i mbështetur mbi një platformë të përbashkët globale dhe mbi garanci të qarta institucionale, mund të jetë shumë më i fortë sesa një përpjekje për ta zëvendësuar një europian me një tjetër.
Parimi i propozuar nga Holanda është i duhuri: fillimisht vizioni, pastaj kandidati. Përpara se të kërkohet emri i pasuesit, duhet të përcaktohet mandati i tij: ndarja e pushteteve, pavarësia e administratës, roli mbikëqyrës i Këshillit, kontrolli i jashtëm, transparenca financiare, kufijtë e Presidencës dhe mbrojtja e kompeticioneve nga interesat private që mund të ndryshojnë logjikën sportive.
Oferta ndaj federatave të vogla duhet të jetë po aq e qartë: jo më pak zhvillim, por më shumë; jo më pak solidaritet, por solidaritet të garantuar nga rregullat; jo fonde që perceptohen si dhuratë e Presidentit, por financim që përfitohet si e drejtë institucionale, sipas kritereve objektive, transparente dhe afatgjata.
Për vende si Shqipëria, kjo nuk është një çështje abstrakte e elitave ndërkombëtare. Financimi i infrastrukturës, qendrave teknike, futbollit të fëmijëve dhe vajzave, trajnimit të trajnerëve dhe ekipeve kombëtare varet ndjeshëm nga mekanizmat e solidaritetit. Një reformë që rrezikon këto fonde nuk do të fitojë mbështetje. Një reformë që i mbron, i rrit dhe i shkëput nga varësia politike ndaj një individi mund të krijojë një shumicë të re globale.
Zgjedhjet e vitit 2027 mund të prodhojnë thjesht një emër të ri. Në atë rast, pas disa vitesh FIFA mund të gjendet përballë të njëjtit problem me një protagonist tjetër. Ose ato mund të shndërrohen në momentin kur futbolli botëror vendos se Presidenti nuk mund të jetë më i fuqishëm se institucioni.
Europa ka sot unitetin, kapacitetin administrativ, peshën sportive dhe kapitalin moral për ta hapur këtë proces. Por do ta udhëheqë me sukses vetëm nëse bind pjesën tjetër të botës se nuk po kërkon më shumë pushtet për 55 federatat e saj, por një sistem më të drejtë për të 211 federatat e FIFA-s.
Nëse UEFA e kupton këtë dallim, kriza e Infantinos mund të mos kujtohet si momenti kur Europa mori drejtimin e FIFA-s. Mund të kujtohet si momenti kur Europa ndihmoi t’ia kthente FIFA-n futbollit.






