Të paktën 683 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve shkatërruese që kanë përfshirë veriun e Nepalit, pranë kufirit me Kinën. Sipas bilancit të fundit, 675 viktima janë regjistruar në Nepal, ndërsa Kina ka raportuar shtatë të vdekur.
Rreth 3 mijë persona rezultojnë të zhdukur në të dyja vendet, prej të cilëve 2,426 vetëm në Nepal. Ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet për gjetjen e personave të zhdukur dhe evakuimin e banorëve të bllokuar në zonat e prekura.
Autoritetet nepaleze kanë kërkuar mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa disa vende dhe organizata kanë ofruar tashmë ndihmë emergjente. Bashkimi Evropian ka njoftuar 2 milionë euro, ndërsa Mbretëria e Bashkuar është zotuar për 5 milionë paund ndihmë.
Ndërkohë, prioriteti kryesor mbetet shpëtimi i personave të bllokuar dhe identifikimi i viktimave. Autoritetet kanë kërkuar edhe pajisje mjeko-ligjore dhe mbështetje për identifikimin përmes analizave të ADN-së, pasi qindra trupa janë nxjerrë nga zonat e prekura.
Katastrofa ka goditur rëndë një vend, ekonomia e të cilit mbështetet ndjeshëm te turizmi dhe dërgesat e parave nga nepalezët që punojnë jashtë vendit./BW

















