Home Gjeo-Ekonomia Në Ballkan nuk të vjedhin fëmijët; të vjedhin besimin, të vjedhin mundësinë…

Në Ballkan nuk të vjedhin fëmijët; të vjedhin besimin, të vjedhin mundësinë…

Nga Besnik Allku

EKSPERIMENTI BALLKANIK
Me vapën e gushtit, duket se bashkë me temperaturat rritet edhe numri i atyre që japin mend për “politikën e madhe”, sikur të gjithë e dinë se ku po shkon bota.
Ndoshta vera është koha më e mirë për të bërë disa pyetje të thjeshta.
Një miku im nga Londra, i lindur dhe rritur atje, sot rreth 60 vjeç dhe ish-ushtarak, më tregonte një histori interesante.
Që kur ishte fëmijë, në Londër dëgjonte vazhdimisht:
“Kujdes fëmijët! Mos i lini të dalin vetëm. Rrugët janë të pasigurta. Mund t’i vjedhin.”
Më pas ai udhëtoi nëpër Ballkan.Dhe pa diçka që për të ishte e çuditshme: Fëmijë duke luajtur të qeshur në rrugica, në fusha e në lagje. Shpesh vetëm. Pa roje. Pa frikë. Pa dikë që t’u thoshte: “Mos dil se do të të vjedhin.”
Sot, sipas shumë treguesve, Londra konsiderohet një qytet i sigurt, ndërsa Ballkani shpesh paraqitet si më pak i sigurt.
Por pyetja është: Çfarë quajmë siguri?
Sepse në Ballkan nuk është se dikush po të vjedh fëmijën në rrugë. Nuk është se çdo ditë të grabitet makina, shtëpia apo dyqani.
Ajo që e bën pasigurinë tonë shumë më të madhe është diçka tjetër: të vjedhin besimin, të vjedhin mundësinë, të vjedhin institucionin, të vjedhin të ardhmen.
Dhe këtu fillon eksperimenti ballkanik. Një rajon i jashtëzakonshëm. Me diell, det, male, lumenj, tokë, histori, kulturë dhe njerëz mikpritës, bujarë, punëtorë, të dashur dhe tradicionalisht të lidhur me familjen e komunitetin. Një rajon që ka qenë në kryqëzimin e qytetërimeve dhe perandorive.
Por pas shembjes së perandorive, në vend që të ndërtonim një hapësirë të fuqishme bashkëpunimi, shpesh u ushqyem me atë që na ndante: etninë, fenë, kufirin, historinë dhe frikën nga tjetri.
Dhe pastaj ndodh paradoksi.
Këta popuj që na thuhet se janë kaq të ndryshëm dhe kaq nacionalistë, sot kanë qeveri e liderë që shpesh duken më të lidhur me ekuilibrat ndërkombëtarë sesa me vullnetin e drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Shikoni Ballkanin: Në Mal të Zi, një shqiptar në krye të shtetit. Në Serbi, një grua lesbike në krye të qeverisë, në një shoqëri që shpesh përshkruhet si tradicionaliste dhe nacionaliste. Në Maqedoninë e Veriut, një koalicion politik mes forcave që dje ishin në konflikt etnik. Në Kosovë, flasim për vetëvendosje, por ende përballemi me vështirësi të mëdha për të zgjedhura nje President Dhe mbi të gjitha: kush i përcakton realisht kufijtë e asaj që mund të bëjë një qeveri ballkanike? Populli? Elitat vendase? Brukseli Uashingtoni? Moska? Ankaraja?Apo një kombinim i të gjithëve? Nuk e di.Dhe pikërisht kjo është pyetja.
Sepse ndërkohë që ne diskutojmë se kush është shqiptar, serb, malazez, maqedonas apo grek, njerëzit bëjnë valixhet. Shkojnë në Londër, Berlin, Milano, Nju Jork, Dubai.Largohen nga vendet që kanë diell, det, male, tokë, histori dhe burime.Dhe këtu lind pyetja më e madhe: A është ky thjesht dështimi ynë për të ndërtuar shtete funksionale? Apo kemi përpara diçka më të madhe? Ndoshta nuk ka fare “eksperiment”.Ndoshta është thjesht paaftësia jonë. Ndoshta është korrupsioni. Ndoshta janë elitat. Ndoshta janë fuqitë e mëdha. Ndoshta është pak nga të gjitha.
Por nëse nuk është eksperiment, atëherë pse rezultati është kaq i ngjashëm në gjithë Ballkanin?
Popuj që largohen.Vende që boshatisen.Pasuri që mbeten. Dhe politika që vazhdon të na bindë se problemi kryesor është gjithmonë… tjetri.
Ndoshta kjo është vetëm një teori e një vere të nxehtë.Ose ndoshta Ballkani nuk është bërë për të qenë i varfër e i ndarë, por thjesht është mbajtur gjithmonë mjaftueshëm i tillë që të mos bëhet dot i fortë.
Nuk kam fakte për këtë. Kam vetëm një pyetje.Pse?

Share: