
Një përplasje e fortë ka ndodhur mesditën e sotme në një hotel në pronësi të biznesmenit Vasil Bedinaj, ku një grup prej rreth 15 personash, që udhëtonin me 8 automjete, janë shfaqur pranë godinës dhe dyshohet se kanë kërcënuar biznesmenin.
Sipas të dhënave paraprake, disa prej personave janë pozicionuar rreth hotelit, ndërsa njëri prej tyre ka hyrë në ambientet e biznesit dhe është ulur përballë Bedinajt.
Takimi dyshohet se ka qenë i tensionuar dhe lidhej me një pretendim për një gjobë prej 5 milionë eurosh, të cilën biznesmeni nuk kishte pranuar ta paguante.
Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe mes dy grupeve ka nisur një përleshje fizike. Dyshohet se gjatë konfliktit janë përdorur edhe armë zjarri. Pas mbërritjes së policisë, personat e përfshirë janë larguar me automjete të ndryshme.
Ndjekja ka përfunduar me një aksident në urën e Peshkëpisë, ku një prej makinave, me tre persona brenda, është përplasur.
Dy prej tyre kanë marrë dëmtime dhe janë dërguar në spital.
Mes tyre ndodhet edhe Bujar Muça, i njohur si një prej sipërmarrësve të lidhur me “Delta Group”.
Burime nga spitali bëjnë me dije se Muça dhe personi tjetër i plagosur janë jashtë rrezikut dhe kanë marrë dëmtime të lehta. Në automjet është gjetur gjithashtu një armë zjarri.
Bujar Muça, emër i njohur në biznes dhe politikë
Bujar Muça është një prej emrave të njohur të biznesit në Elbasan, me aktivitet në disa sektorë, përfshirë ndërtimin, furnizimet industriale dhe pasuritë e paluajtshme.
Ai ka pasur edhe një angazhim të shkurtër në politikë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kandidoi për deputet nën siglën e PDIU-së në qarkun e Elbasanit dhe fitoi mandatin. Muça e la detyrën disa muaj më vonë, duke e justifikuar dorëheqjen me arsye personale.
Emri i tij u përmend edhe në një operacion të zhvilluar në Elbasan më 13 tetor 2025, ku sipas raportimeve mediatike ai ishte mes personave të përfshirë në aksionin e policisë dhe gjatë kontrolleve u sekuestruan armë zjarri.
Ndërkohë, për ngjarjen e sotme vijojnë hetimet për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur konkretisht, kush janë personat e përfshirë dhe nëse pretendimi për gjobën prej 5 milionë eurosh qëndron pas konfliktit./Versus.al


