
Dy biznesmenët që u përplasën fizikisht duke nxjerrë dhe armët mes tyre, Vasil Bedinaj dhe Luan Muça kanë dhënë versione të ndryshme mbi konfliktin një ditë më parë në Radhimë, në hotel “Regjina”.
Sipas Bedinaj, ai është kërcënuar dhe dhunuar dhe se ndaj tij është vendosur një “gjobë” prej 5 milionë eurosh.
Por kjo dëshmi është kundërshtuar nga Luan Muça, pronari i “Delta Group” i cili së bashku me dy të arrestuarit e tjerë, Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, pronarë të kompanisë së sigurisë “Sëat Security”, kanë dëshmuar se konflikti me Bedinajn lidhet me një çështje pronësie.
Të njëjtin qëndrim mbajti dje edhe mbrojtja e Luan Muçës për mediat. Sipas saj, takimi mes palëve ishte zhvilluar për t’u sqaruar “lidhur me një invested në bregdetin e Jugut ku palët kanë pretendime për ligjshmërinë e dokumentacionit”.
Përplasja mes dy biznesmenëve çoi në pranga 5 persona, mes tyre biznesmenin e njohur Luan Muça, 3 persona nga grupi i tij dhe një person nga grupi i Bedinajt.
Policia e Vlorës ka shpallur gjithashtu në kërkim vëllanë e Muçës, ish-deputetin Bujar Muça, ndërsa roli i tij në ngjarje ende nuk dihet.
Grupi hetimor po verifikon disa pista, përfshirë pretendimin e Bedinajt për gjobëvënie, si edhe ndonjë konflikt të mundshëm pronësie, që është artikuluar edhe në disa media.
Ka qenë vetë Bedinaj ai që ka njoftuar policinë për ngjarjen. Më pas, grupi i armatosur, punonjës sigurie të “Sëat Security”, së bashku me Luan Muçën, janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në dalje nga resorti, njeriu i Bedinajt ka qëlluar me armën me leje që mbante Bedinaj në drejtim të makinave, duke lënë gjurmë plumbash në të paktën një prej tyre. Bëhet fjalë për një “Range Rover”, i cili u kap në Fier, ndërsa drejtohej nga Blerim Heta, shtetas i Kosovës, i cili u vu në pranga.
Në këtë makinë janë gjetur edhe njolla gjaku, ndërsa policia dyshon se mund të ketë pasur një person të plagosur me armë.
Luan Muça fillimisht është larguar nga resorti me një “Audi A8”, i cili më pas u gjet i djegur në Radhimë. Pas kësaj, ai ka ndërruar automjet dhe, së bashku me dy pronarët e “Sëat Security”, është larguar me një “Range Rover” të zi luksoz./Versus.al

