Mediat në Kosovë dhe Shqipëri kanë publikuar pamjet e plota të momentit kur këngëtari dhe ish-banori i “Big Brother”, Eduard Kuçi, ndalohet dhe dhunohet në autostradën e Thumanës nga një grup personash, mes të cilëve edhe këngëtari Jozefin Marku.
Videoja, rreth 2 minuta e 50 sekonda e gjatë, tregon se si disa automjete të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme i bllokojnë rrugën automjetit luksoz me të cilin udhëtonte Kuçi.
Personat zbresin nga makinat të maskuar dhe me tabela “STOP Policia”, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për efektivë policie.
Pas ndalimit, grupi i personave e nxjerr Kuçin nga automjeti dhe nis ta dhunojë fizikisht me grushte, shkelma dhe shpulla.
Sipas raportimeve mediatike, ngjarja dyshohet se lidhet me një video të mëparshme të publikuar nga Kuçi në rrjetet sociale, ku ai kishte ofenduar Jozefin Markun.
Ngjarja, e cila dyshohet se ka ndodhur fundjavën e kaluar, ka shkaktuar reagime në Kosovë dhe Shqipëri.
Deri tani, sipas materialit të publikuar, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit, ndërsa identifikimi i personave dhe automjeteve të përfshira pretendohet se mund të bëhet edhe përmes pamjeve dhe targave të tyre.
Ndërkohë, familjarë të Eduard Kuçit në Kosovë kanë paralajmëruar për hakmarrje ndaj personave që dyshohet se janë përfshirë në ndalimin dhe dhunimin e tij./Versus.al

