
Kryeministri Edi Rama ka vendosur kufij të qartë për mënyrën se si duhet të funksionojë nisma “Prania Besnike”, duke kërkuar që ajo të mos kthehet në një mekanizëm politik për ndërhyrje në institucionet shtetërore.
Në fjalën e tij, Rama tha se deputetët nuk duhet të telefonojnë drejtorët për t’u kërkuar favore, ndërsa “Prania Besnike” nuk duhet të përdoret për marrjen e votave, rekrutimin e militantëve apo si sportel për zgjidhjen e halleve të qytetarëve.
Ai tha se do të kërkojë ndryshime ligjore që ndërhyrjet me telefon nga deputetët për punësime në administratë do të konsiderohen vepër penale.
"Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti për të futur dikë në punë të quhet vepër penale. Do t’ju shoh të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni. Çdo mesazh i çuar: “Fute këtë”, “shife atë”, të konsiderohet vepër penale.
Një deputet që bën këtë nuk është i denjë për të përfaqësuar ata të tjerët që nuk kanë akses, që nuk janë pjesë e rrethit të tarafit të tij apo shokë të fëmijëve. Vepër penale. Shkalla e meritës duhet të krijojë një arkitekturë të qartë. Grada të bëhet pasuri profesionale e njeriut, jo pronë e postit që mban sot apo e qeverisë që vjen nesër. Në anketimin e administratës publike ka një të dhënë që duhet t’ju mbetet të gjithëve sot", tha Rama.
Sipas kryeministrit, deputetët duhet të ndjekin problemet e qytetarëve përmes rrugës institucionale, duke u siguruar që çështjet të trajtohen nga institucionet përgjegjëse, pa krijuar kanale paralele.
Rama theksoi se kjo është një “vijë e panegociueshme” për suksesin e nismës dhe për funksionimin e “Pasqyrës”, duke nënvizuar ndarjen mes partisë dhe shtetit.
“Partia nuk bëhet shtetin. Nuk është sportel punësimi. Militanti nuk është rruga e qytetarit për të marrë të drejtën që jep ligji”, deklaroi ai.
Kryeministri shtoi se qytetarët nuk duhet të kenë nevojë për ndërmjetësim politik për të përfituar të drejtat që u garanton ligji.
“Sistemi do të përgjigjet vetë. Politika duhet të jetë antenë për shtetin që dëgjon dhe jo kanal paralel i shtetit që nuk funksionon”, u shpreh Rama.
Ai tha gjithashtu se në “Praninë Besnike” nuk duhet të shkohet për të promovuar vetëm shifrat e rritjes ekonomike, por për të evidentuar problemet dhe realitetet që këto shifra nuk pasqyrojnë.
Rama e lidhi këtë qasje me synimin që “Prania Besnike” dhe “Pasqyra” të mos përdoren thjesht si mjete politike, por të shërbejnë për të krijuar një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë mes qytetarit dhe shtetit.

