
Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të mbledhë sot Grupin Parlamentar të PS-së dhe anëtarët e qeverisë në një takim të zgjeruar në Pallatin e Brigadave.
Mbledhja do të nisë në orën 10:00 dhe zhvillohet në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar. Në fokus pritet të jetë koncepti “Prania Besnike”, pjesë e mënyrës së re të organizimit të socialistëve në terren.
Koncepti synon një prani më të vazhdueshme të deputetëve, drejtuesve politikë dhe strukturave vendore pranë qytetarëve, me qëllim evidentimin e problematikave dhe ndjekjen e tyre pranë institucioneve.
Por përtej axhendës së deklaruar, mbledhja zhvillohet në një moment kur brenda mazhorancës janë shtuar diskutimet për ndryshime të mundshme në kabinetin qeveritar. Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për emrat apo postet që mund të preken nga këto lëvizje.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm pritet më 12 shtator, kur Partia Socialiste pritet të mbajë Asamblenë Kombëtare. Në këtë kuadër, takimi i sotëm shihet edhe si një moment për të përcaktuar drejtimet politike dhe organizative të mazhorancës për fazën e ardhshme.
Në diskutimet e fundit të socialistëve janë përfshirë gjithashtu konceptet “Besa” dhe “PasqyrAlbania”, të cilat lidhen me organizimin politik dhe ndjekjen e problematikave të qytetarëve./Versus.al

