
Situata e zjarreve vijon të jetë kritike në disa zona të qarkut të Lezhës, ku një vatër me intensitet të lartë është përhapur në tri pika.
Sipas verifikimeve të kryera me dron, flakët vijojnë të jenë aktive dhe për shuarjen e tyre kërkohet ndërhyrje nga ajri. Nga kontrollet e kryera mëngjesin e sotëm janë konstatuar 10 shtëpi të djegura.
Ndërkohë, në Kurbin zjarri vijon të përhapet në një front prej rreth 3-4 kilometrash, duke djegur kryesisht sipërfaqe me bar.
Terreni i vështirë nuk mundëson ndërhyrjen me mjete dhe forca tokësore, ndërsa ndërhyrja nga ajri paraqitet e vështirë për shkak të erës, e cila favorizon përhapjen e flakëve.
Në fshatrat Kalivaç dhe Zimaj, sipas vlerësimeve paraprake, janë djegur rreth 200 hektarë sipërfaqe.
Ndërkohë, vijon puna për monitorimin dhe izolimin e vatrave, ndërsa përmasat e plota të dëmeve materiale janë ende në proces vlerësimi./Versus.al

